Përplasje dhe barrikada, si po protestojnë francezët kundër dhunës policore
Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e Francës të shtunën për të tretën fundjavë radhazi në një demonstratë masive kundër një ligji të ri të propozuar nga qeveria, konkretisht një pike të draftit për sigurinë që nuk lejon filmimin e forcave të rendit gjatë ushtrimit të detyrës.
Qeveria thotë se kjo bëhet për të mbrojtur policinë nga prishja e imazhit, por kritikët e konsiderojnë një masë që mund të zbehë lirinë e medias dhe të nxisë brutalitetin policor.
Autoritetet ishin përgatitur për dhunë të mëtejshme pasi dy protestat e fundit në Paris përfunduan në trazira të mëdha. Ndryshe nga dy fundjavat e kaluara, kur protestuesit u përplasën ashpër me policinë, duke lënë dhjetëra të plagosur nga të dyja kampet, të shtunën nuk kishte shpërthime të mëdha pasi disa mijëra protestues ishin të rrethuar nga të gjitha anët nga policia, që marshonte nëpër qytet. Kjo duket se rriti edhe më shumë tensionet me qytetarët që akuzuan qeverinë në rrjetet sociale për shtypjen e protestuesve.
Një javë më parë, demonstruesit në kryeqytetin francez mbanin flamuj të kuq të unionit, flamurin kombëtar trengjyrësh dhe tabela që denonconin dhunën e policisë, duke kërkuar lirinë e medias ose duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Gérald Darmanin.
Policia hodhi gaz lotsjellës në Paris pasi demonstruesit filluan të hidhnin fishekzjarre ndaj tyre, vendosën barrikada dhe hodhën gurë. “Tridhjetë e shtatë oficerë policie dhe xhandarësh u plagosën gjatë demonstratave, sipas shifrave të përkohshme. “Unë dënoj dhunën e papranueshme kundër forcave të sigurisë,” shkroi Darmanin në Twitter.
Protesta përfshinte gazetarë, studentë, aktivistë të krahut të majtë dhe qytetarë me vija të ndryshme politike duke shprehur zemërim për atë që ata e perceptojnë si një taktikë forcimi të policisë në vitet e fundit, veçanërisht që nga protestat e jelekverdhëve kundër vështirësive ekonomike në vitin 2018.
Mijëra njerëz, përfshirë anëtarët e lëvizjes anti-qeveritare të jelekverdhëve, kishin marshuar paqësisht në kryeqytet kur protestuesit, të veshur me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar, filluan të sulmonin me molotov policinë. Dritaret e disa supermarketeve, dyqanesh dhe bankash u thyen dhe policia u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës.
Duke parë cfarë ndodhi dy fundjavat e kaluara, qeveria kishte vendosur dhjetëra policë më shumë në kryeqytet në përpjekje për të shmangur një përsëritje të përplasjeve të dhunshme.
Demonstratat e kësaj jave ndërkohë mblodhën rreth 60,000 njerëz në të gjithë vendin, sipas organizatorëve.
“Represion global, regresion total”, lexonte një pankartë e mbajtur lart nga një demonstrues në kryeqytet, një referencë ndaj projekt-ligjit të ri “të sigurisë globale” i cili ndalon botimin e imazheve që tregojnë fytyrat e oficerëve të policisë. Por qytetarët e kanë cilësuar këtë ligj si një cenim i drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre, duke organizuar protestat më të dhunshme që pas atyre të jelekverdhëve.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin shkroi në Twitter të dielën se “disa qindra banditë kishin ardhur për të kryer akte dhunë” në Paris. Demonstrata u mbajtën gjithashtu në Lyon, Montpellier, Strasburg, Lille, Bordeaux, Toulouse dhe Marseille.
Kritikët argumentojnë se projektligji i sigurisë, i cili është miratuar nga Dhoma e ulët e parlamentit, do ta bëjë më të vështirë për gazetarët dhe qytetarët për të dokumentuar raste të brutalitetit të policisë.
Pamjet e policisë që rrihin një producent të paarmatosur në studion e tij më 21 nëntor përforcuan zemërimin mbi legjislacionin, të cilin Presidenti Emmanuel Macron duket se është i vendosur ta miratojë pavarësisht kritikave.
Incidente të tjera të kapura nga kamera kanë treguar se policia në Paris po përdor dhunë për të shkatërruar një kamp emigrantësh.
Disa grupe të të drejtave dhe sindikatat e gazetarëve të dielën denoncuan “arrestime arbitrare” nga policia e Parisit në protestën e fundit, ku u ndaluan 150 njerëz.
Një deklaratë nga disa grupe të të drejtave dhe sindikata e gazetarëve dënoi “arrestimet masive, akuzat e pajustifikuara për prishjen e qetësisë publike” dhe ndalimin e njerëzve përtej kufirit ligjor “për asnjë arsye të ligjshme”.
Prokurorët thonë se 124 persona u mbajtën në paraburgim, duke përfshirë dy gazetarë. Prokuroria tha të dielën në mbrëmje se 30 persona ishin ende në paraburgim, por që 19 të mitur të ndaluar gjatë demonstratave ishin liruar pa akuza, pesë prej tyre morën paralajmërime policore.
“Kishte dhjetëra protesta në verë kundër dhunës së policisë dhe ky ligj tregon që qeveria nuk na dëgjoi… Kjo është ajo që na bën kaq të zemëruar”, thotë një pjesëmarrës i protestës Kenza Berkane.
“Ky projektligj synon të minojë lirinë e shtypit, lirinë për të informuar dhe informuar, lirinë e shprehjes,” tha një nga organizatorët e protestës të së shtunës./ “France24”/ “Si”