Bota

Përpjekje në fronte të ndryshme diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë

Beteja për fatin e Ukrainës po zhvillohet në disa fronte. Zyrtarët amerikanë po udhëtojnë drejt vendeve të ndryshme të botës, për takime me civilët që janë prekur nga terrori, por gjithashtu po takohen qoftë fizikisht ose virtualisht me zyrtarë të vendeve tjera që mund të ndikojnë në dhënien fund të konfliktit.

Ndërsa trupat ruse vazhdojnë terrorin mbi Ukrainën, në këtë hotel të panjohur në Itali, vazhdojnë përpjekjet diplomatike për fatin e vendit.

Të hënën, Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan u takua për shtatë orë në Romë me diplomatin më të lartë kinez, drejtorin e Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme, Yan Jiechi.

Zyrtarët e administratës e përshkruan atë si një takim të tensionuar, gjatë të cilit Uashingtoni i kujtoi privatisht Pekinit se do të kishte pasoja nëse do të shkelte sanksionet kundër makinerisë ruse të luftës.

“Ajo që është përcjellë nga këshilltari ynë për sigurinë kombëtare në këtë takim, është se nëse Pekini ofron ndihmë ushtarake, ndihma të tjera që shkelin sanksionet, ose mbështet përpjekjet e luftës, do të përballet me pasoja të mëdha. Për të vendosur rreth masat, ne do të koordinohemi me partnerët dhe aleatët tanë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Pas tre javë luftimesh, rreth 3 milionë ukranias janë larguar nga vendi. Shumica janë gra dhe fëmijë, pasi burrave të aftë për punë u ndalohen të largohen.

Vullnetarët civilë, nën komandën e presidentit Volodymyr Zelenskyy, përbëjnë pjesën më të madhe të rezistencës kundër ushtrisë profesionale ruse.

Lexo më shumë  Mijëra studentë serbë protestojnë për të kërkuar përgjegjësi për incidentin në Novi Sad

Uashingtoni thotë se nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë dhe nuk e ka pranuar kërkesën e zotit Zelenskyy për të krijuar një zonë të ndaluar për fluturime, dhe ka refuzuar propozimin e Polonisë që avionët e saj MIG t’i dërgojë në një bazë amerikane në Gjermani dhe prej andej t’ia japë Ukrainës.

Të shtunën, Presidenti Joe Biden autorizoi rreth 200 milionë dollarë ndihma për përgatitje ushtarake dhe stërvitje për trupat ukrainase.

Gjatë fundjavës, katër senatorë amerikanë vizituan Poloninë, vendin me numrin më të madh të refugjatëve.

“Ajo që pashë në kufi tregon nevojën që Shtetet e Bashkuara të veprojnë menjëherë. Jo nesër, jo vitin e ardhshëm. por tani. Në këtë moment ka një urgjencë që kërkon vëmendjen e botës dhe popullit amerikan”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal.

Senatorja Amy Klobuchar i tha Zërin të Amerikës se Shtetet e Bashkuara ende kanë mundësi ta ndihmojnë Ukrainën.

“Nuk do t’i japim presidentit Putin një udhërrëfyes se si mund të bëhet kjo. Ka shumë mënyra si për shembull më shumë dronë, ose armë. Jemi të vendosur ta bëjmë këtë dhe duhet të bëjmë më shumë”, tha ajo.

Senatori Rob Portman tha se edhe Kina duhet të luajë rolin e saj.

“Kina duhet të tregohet e kujdesshme, sepse Shtetet e Bashkuara kanë mundësinë, që nëpërmjet tregut, të dëmtojnë ekonominë kineze. Ata varen nga ne, dhe ne jemi të ndërvarur nga ta në një farë mënyre”, tha ai.

Lexo më shumë  Dokumente të rreme: Si Rusia po përpiqet të mashtrojë me identitetin e ushtarëve të Koresë së Veriut

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze, tha të hënën se Kina ka luajtur një rol konstruktiv në mbështeje të bisedimeve të paqes në Ukrainë dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara për pretendime të rreme.

Ai as nuk pohoi dhe as nuk mohoi pyetjen e drejtpërdrejtë nëse Kina planifikon të mbështesë Rusinë në të ardhmen.

Të hënën, delegacionet ruse dhe ukrainase u takuan virtualisht në raundin e katërt të bisedimeve për paqe. Zoti Zelensky thotë se po përpiqet për një takim me presidentin rus Vladimir Putin.

Edhe vendet e largëta po angazhohen. Zëri i Amerikës pyeti zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë nëse administrata po shqyrton ofertën e Presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, për të ndërmjetësuar midis dy palëve.

“Ka pasur shumë udhëheqës botërorë që janë takuar me rusët dhe ukrainasit përmes kanaleve diplomatike, në përpjekje për të arritur një zgjidhje. Ne kemi qenë të angazhuar drejtpërdrejtë nga fillimi deri në fund të bisedimeve dhe kemi inkurajuar palët që të angazhohen edhe me ukrainasit, jo vetëm me rusët”, thotë zonja Psaki.

Presidenti Zelenskyy ka refuzuar të largohet nga vendi i tij. Por ai ka hapur një front të ri virtual përmes një sërë video mesazheve të publikuara për civilët dhe ligjvënësit në mbarë botën. Të mërkurën, ai do të flasë në një seancë të përbashkët me dyer të mbyllura të Kongresit të Shteteve të Bashkuara./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *