Përmbytje në Indinë Jugore, 35 të vdekur, dhjetëra të zhdukur
Të paktën 35 persona u raportuan të vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur pasi shirat e dendur goditën Indinë jugore, duke shkatërruar shtëpi dhe përmbytur rrugë, njoftuan zyrtarët.
Sipas qeverisë së shtetit, përmbytjet e shpejta të shkaktuara nga shiu i dendur i vazhdueshëm vranë të paktën 32 njerëz në Andhra Pradesh.
Shiu filloi në fund të javës së kaluar, duke përmbytur autostrada dhe rrugë, ndërsa izoloi tërësisht disa vendbanime dhe kufizoi aksesin në ushqim dhe ujë.
Të paktën 30 persona mbeten të zhdukur, thanë zyrtarët.
Zyrtarët pohuan se përpjekjet e ndihmës në Andhra Pradesh janë ende duke u zhvilluar, me 16 ekipe kombëtare dhe shtetërore të fatkeqësive të vendosura për të larguar banorët e bllokuar.
Ata deklaruan se rreth 58,000 njerëz ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre në 294 kampe shpëtimi në mbarë shtetin.
Të paktën tre persona kanë humbur jetën në shtetin fqinj Karnataka, sipas zyrtarit të menaxhimit të fatkeqësive Tushar Giri Nath.
“Njerëzit banojnë kryesisht në vendet e të afërmve të tyre. Ne po rregullojmë ushqimin për ta,” tha Nath, duke shtuar se 150 shtëpi janë dëmtuar nga shiu.
Sipas Departamentit Meteorologjik të Indisë, reshjet u shkaktuan nga një qarkullim ciklonik në Detin Arabik dhe zonat me presion të ulët në Gjirin e Bengalit.
Rruga Press