Përleshja fizike në Kuvend, Mërgim Lushtaku thirret nga Prokuroria për veprën penale “Sulm”
Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së enjte në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është thirrur të paraqitet në Prokurori pasi dyshohet për veprën penale “Sulm”, ndaj deputetëve.
Përleshja ka ndodhur pasi deputetët opozitarë ndërprenë fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës plenare më 13 korrik, me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku që hodhi ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi.
Kjo u pasua me përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i cilësoi deputetët e PDK-së “si një bandë rrugaçësh” dhe shtoi se “ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues”.
Rruga Press