Përkujtohet autori i Himnit, 150 vite nga lindja e poetit dhe veprimtarit Asdreni
Është një grup i madh këngëtarësh që i jep zë Himnit Kombëtar në nëntor të vitit 1929.
Ky 11 prill shenjoi 150 vjetorin e lindjes së autorit të Himnit, Asdrenit.
Poeti, publicisti dhe veprimtari shqiptar u përkujtua në Drenovë, aty ku kaloi 14 vitet e para të jetës, para emigrimit në Rumani.
Nën melodinë e Korit “Lira” u bënë bashkë personalitete të politikës e kulturës për të nderuar kujtimin e poetit.
Drejtuesi i Korit, Pandi Bello risolli në vëmendje kontributin e shquar të Aleksandër Stavre Drenovës në krijimin e shtetit shqiptar.
“Është një lloj ideologu i madh i programit të pavarësisë, të zhvillimit të arsimit shqip”, tha Bello.
Të thjeshtë, të përulur por madhështor e përshkruan ai Asdrenin, arti i të cilit u dominua nga dashuria për atdheun.
“Poezia e Asdrenit është poezia e dashurisë për Atdheun, dashurisë për vendlindjen e bukurisë, për natyrën”, shtoi Bello.
Asdreni nisi të shkruante poezi në fillim të shekullit të XX. Në krijimet e para vijoi traditën e poezisë së Naim Frashërit ndërsa vepra më e rëndësishme e tij mbetet “Ëndrra e lot”.
Rruga Press