Lajme

Përkthehet raporti i ekspertëve gjermanë, spitali modular i Tetovës u dogj prej kabllos zgjatuese?

Në Prokurorinë e Tetovës ka mbërritur përkthimi i raportit të ekspertëve gjermanë lidhur me djegien e spitalit modular në Tetovë në 8 shtator të vitit të shkuar. Siç mëson televizioni Alsat, edhe në raportin e ekspertëve gjermanë qëndron se shkak për përhapjen e zjarrit në modularin e Tetovës mund të ketë qenë kablloja zgjatuese në të cilën ka qenë e kyçur një pajisje mjekësore për trajtimin e pacientëve.

Raporti, sipas prokurorisë, iu është shpërndarë për analizë pesë prokurorëve të përfshirë në hetimin e lëndës, me çka, pas analizimit të të njëjtit, prokurorët, do të ulen bashkë për të parë nëse nga ky raport do dalë mendim juridik, që ka të bëjë me hapjen apo jo të pistave të reja të hetimit, apo do të vazhdohet me hetimet e njëjta që prokurorët vendas kanë kryer deri tani. Mbledhja e prokurorëve pritet të mbahet brenda javës.

Lexo më shumë  Nxirrnin gurë dekorativë në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit, tre të arrestuar! Nën hetim drejtori dhe specialisti i AZDM-së Berat

Prokuroria e Tetovës nuk dha më shumë detaje për atë se çka përmban raporti i përkthyer, me arsyetimin se, i njëjti është pjesë e hetimit të lëndës, ndërsa nga prokuroria thonë se raporti i ekspertëve gjermanë është tejet i rëndësishëm sepse, nga ky raport do të mund të hapen edhe pista të reja hetimi.

Deri tani për lëndën në fjalë janë marrë në pyetje rreth 30 persona, ndërsa ka pasur raste kur edhe vullnetarisht janë paraqitur për të dhënë dëshmitë e tyre, familjarë dhe persona të tjerë të cilët janë ndodhur aty në natën e kobshme të shtatorit.

Lexo më shumë  Kryetari Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nëntorit

Në mesin e personave që janë marrë në pyetje, përveç të punësuarve të Spitalit të Tetovës janë edhe persona nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale si dhe nga Ministria e Shëndetësisë, bashkë me persona të kyçur në ndërtimin e modularit.
Në zjarrin që shpërtheu natën e tetë shtatorit, humbën jetët 14 persona, 12 nga të cilët ishin pacientë dhe dy persona familjarë që kujdeseshin për pacientët e prekur me kovid./Alsat.mk

Rruga Press

YouTube player