Përgjimi i mbi 18- gazetarëve nga ‘Pegasus’, agjencia e SHBA-së: Është një abuzim dhe cënon sigurinë e tyre
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), ka shprehur zemërimin e saj rreth raportimeve që më shumë se 180 gazetarë, duke përfshirë ata nga Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë, duket se kanë qenë shënjestra të një spiunimi me softuer të kategorisë ushtarake.
“Shënjestrimi i bisedave private të gazetarëve, në çfarëdo mënyrë, është gjë e pandërgjegjshme”, ka thënë ushtruesja e detyrës së drejtorit të USAGM-së, Kelu Chao.
“Ky abuzim duhet të përfundojë dhe siguria e gazetarëve duhet të garantohet”.
USAGM mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë të financuar nga SHBA-ja.
Një hulumtim i kryer nga disa media, i quajtur Projekti Pegasus, ka gjetur se një softuer i dizajnuar për t’iu ndihmuar qeverive në gjurmim të terroristëve, është përdorur për të hakuar telefonat e gazetarëve, aktivistëve për të drejta të njeriut dhe zyrtarëve qeveritarë.
Softueri i quajtur Pegasus, është zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group.
E përditshmja amerikane Washington Post, ka raportuar se në mesin e gazetarëve të shënjestruar janë disa edhe nga Zëri i Amerikës.
Ndërsa një raport i përpiluar nga Projekti për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ka thënë se Qeveria e Azerbajxhanit ka përdorur këtë softuer për të spiunuar qindra gazetarë dhe aktivistë, duke përfshirë pesë gazetarë aktualë dhe ish-gazetarë të Radios Evropa e Lirë.
Hulumtimi është kryer nga organizata joqeveritare me bazë në Paris, Forbidden Stories, me mbështetje teknike të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International.
“Ky hulumtim prezanton kalibrin e gazetarisë që promovon dhe ruan USAGM. Teknologjia e re duhet t’iu ndihmojë gazetarëve të bëjnë punën e tyre më mirë, mirëpo jo për spiunim dhe ngacmim të tyre”, ka thënë mes tjerash Chao.
Rruga Press