Përfaqësim i ulët i të rinjve në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
Në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, që mbahen më 17 tetor, të rinjtë kanë një pjesëmarrje të ulët, teksa vetëm 2.9 për qind e listave zgjedhore janë persona të moshës 18-29 vjeç. Ndërkaq, nga 301 kandidatët që janë në garë për të udhëhequr një nga 80 komunat, vetëm nëntë prej tyre i përkasin kësaj grupmoshe.
Sipas një analize të Këshillit Nacional të të Rinjve në Maqedoninë e Veriut thuhet se partitë politike nuk i përfshijnë të rinjtë në proceset vendimmarrëse, qoftë në pushtetin qendror apo atë lokal.
Filip Kullakov, koordinator i projektit të Këshillit Nacional të të Rinjve, thotë për Radion Evropa e Lirë se zvarritja e miratimit të ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat për të rinjtë është arsyeja kryesore që dekurajon të rinjtë të jenë pjesë e politikës.
“Rekomandimi ynë është që politikanët, përkatësisht partitë politike duhet t’i dëgjojnë të rinjtë, t’i konsultojnë më shpesh, veçanërisht kur bëhet fjalë për krijimin e politikave që janë në interes të të rinjve. Disa herë e kemi theksuar se nuk duhet të krijohen politika për të rinjtë pa u dëgjuar zëri i tyre. Në momentin që të rinjtë do ta kenë ndjesinë se po dëgjohen nga vendimmarrësit dhe më e rëndësishmja se qëndrimet e tyre përfillen dhe jetësohen në praktikë, në atë rast të rinjtë do të afrohen drejt partive politike”, thotë Kullakov.
Ndërkaq, të rinjtë theksojnë se edhe pse ligjet që janë në fuqi garantojnë promovimin e partneritetit mes gjeneratave gjatë procesit të miratimit të vendimeve dhe politike, në realitet, të rinjtë po përmenden nga partitë vetëm në kohë zgjedhjesh.
“Të rinjtë shqiptarë, por edhe në përgjithësi të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë humbur besimin se gjërat mund të ndryshojnë. Nisur nga ky fakt, ata kanë filluar të mos përfshihen në politikat e pushtetit lokal dhe të mos përfshihen në aktivitetet e partive politike. Ata thjesht nuk besojnë se gjërat mund të ndryshojnë, andaj rrinë indiferentë ndaj zhvillime politike”, thotë Rita Beadini, presidente e Qendrës për Mundësi të Barabartë “Mollëkuqja”.
Ajo shton se duhet të investohet në përmirësimin e klimës dhe diskursit politik që të shmangen përçarjet dhe distancomi i të rinjve nga politika.
“Është fakt se është krijuar njëfarë lloj qëndrimi apo pikëpamjeje këtu në Maqedoninë e Veriut se nëse bëhesh pjesë e një partie politike, t’i zgjyrosesh politikisht dhe të mbyllen dyert nga partitë e tjera që mund të vijnë në pushtet. Kjo është një çështje që patjetër duhet të ndryshohet”, thotë Beadini.
Ndërkaq Filip Kullakov vlerëson se shumica e të rinjve kanë humbur besimin se pushteti lokal mund të ndryshojë diçka.
“Hulumtimi që së fundmi e ka realizuar Këshilli Nacional i të Rinjve lidhur me zgjedhjet, tregon se 74 për qind e të rinjve të anketuar janë shprehur se do të votonin në zgjedhjet e ardhshme. Te të rinjtë do të thotë ka dëshirë për të votuar, por është shumë dekurajues fakti që 40 për qind e të anketuarve janë të bindur se vota e tyre nuk është e rëndësishme. Rreth 87 e të rinjve të anketuar kanë thënë se janë të bindur që zëri i tyre nuk do të dëgjohet nga vendimmarrësit”, thekson Kullakov. /REL/