Përendimi sot mbrohet në lindje
Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka thënë se kufiri lindor ukrainas, nuk duhet lejuar të kalohet, teksa ka folur për synimet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Reka, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se Rusia me pushtime ushtarake dhe Kina me kolonializimin kreditor, po shtrijnë praninë në hapësirën ku ndodhen 70% e rezervave të naftës dhe 65% e gazit natyror.
“Me kërcënimin rus ndaj Ukrainës dhe ndërhyrjen ruse në Kazakistan, Putini vijon të përcjellë ëndrrën e tij për rikthimin e kufijve të Bashkimit Sovjetik dhe fuqisë së Rusisë cariste. Filloi me ankesimin e dy krahinave të Gjeorgjisë (2008), të Krimesë (2014), luftën hibride kundër shteteve baltike, mbështetjen e rrezikimit bjellorus të Polonisë dhe shantazhimin energjetik të Moldavisë. Në aleancë me Kinën, së voni dëshirohet rikthimi i fuqisë së dy perandorive lindore në Euro-Azi. Parashikimet largëpamëse të: Makender (për ”zemrën e tokës”, 1904) dhe të Richtofen, (për “rrugën e mëndafshtë”, 1877) mbeten aktuale edhe sot. Rusia me pushtime ushtarake (“bota ruse”) dhe Kina, me kolonializmin kreditor (“një rrugë, një brez”), po shtrijnë praninë në këtë hapsirë ku ndodhen 70% të rezervave të naftës dhe 65% të gazit natyror. Kufiri lindor ukrainas, është rubikoni që nuk duhet lejuar të kalohet. Përendimi, sot mbrohet në lindje”, ka shkruar Reka.
Rusia thuhet se ka vendosur më shumë se 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën. Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka paralajmëruar Rusinë për sanksione nëse e pushton Ukrainën.
Rruga Press