KryesoreOpinion/Aktualitet

Përballja në Opinion/ Dy fytyrat e Ramës për lugën bosh ndaj pensionistëve

Për herë të parë që kur i shpërndau pensionistëve një shtesë rreth 4 mijë lekë të vjetra, Edi Rama u detyrua të përballet me ta në studion e Opinion jashtë skenarit të takimeve me regji, ku i jep vetes mundësinë të recitojë i pashqetësuar monologjet e rastit. Ishte momenti kur drejtuesi i emisionit e kaloi mikrofonin tek pyetjet e drejtpërdrejta nga publiku. (VIDEO KETU)

“Si ka mundësi, nëse do kishit pension 150, 200 mijë lekë dhe të jetonit dhe ta nxirrnit muajin? Me shtesat që bëtë tani 4 mijë lekë, janë qesharake 2 kafe dhe 2 sheqer, të tallesh me një pensionist që ka punuar 40 vjet? Më jep një shpjegim si mund të jetosh?” ishin pyetjet që i drejtoi një prej të moshuarave në sallë.

Përgjigjet që shefi i qeverisë ndahen në dy dy lloj. Së pari ishte përpjekja për t’u justifikuar dhe për t’i bindur duke bërë një paraqitje të situatës ekonomike në vend përmes shifrave dhe grafikëve që kishte sjellë me vete. E dyta ishte e një lloji tjetër, kur Rama e pa se u zu ngushtë dhe nisi të shpikë shpjegime idiote, të imponohet me skenarë apokaliptikë apo edhe t’i kërcënojë.

Shpjegimi i kryeministrit përmes të dhënave të buxhetit

Kryeministri tentoi t’i bindë të moshuarit se qeveria e tij po bën aq sa ka mundësi. Për këtë ai dha disa argumenta. I pari ishte se numri i pensionistëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

“Është rritur numri i pensionistëve. Në 2013, ka pasur 570 mijë pensionistë. Tani ka 700 mijë që do të thotë nevoja për të financuar 200 mijë pensionistë është e jashtëzakonshme” tha Rama.

Argument tjetër i Ramës ishte se shteti “sot që flasim vë 500 milion euro plus në fondin e pensioneve” për të paguar pensionistët.

Lexo më shumë  Kurti: S’ka Asociacion, pa e njohur Serbia rendin kushtetues të Kosovës

Tjetër argument ishte se “pensioni mesatar në vitin 2013 ishte 101 euro, ndërsa sot pensioni mesatar ishte 183 euro”.

Ndërkohë kryeministri theksoi disa herë se “indeksimi i pensionit nuk është rritje e pensionit”, por bëhet për të përballuar rritjen e çmimeve, dhe se 4 mijë lekët ishin 100 milion euro shtesë në buxhet.

Por kur të moshuarit i kanë përsëritur pyetjen se “Si mund të jetohet me 200 mije lekë?”, Rama nxjorri fytyrën tjetër.

Piruetat për t’iu shmangur të vërtetës dhe mbyllja e debatit me një kërcënim

Kur të moshuarit që ishin në sallë nuk janë bindur nga ekpozeja që beri kryeministri situatës ekonomike, ky e pa veten në vështirësi. “O Fevzi po ça po bon ktu mo?” u detyrua të kërkojë llogari nga drejtuesi i emisionit, ndërsa refuzoi të dëgjonte disa herë se që nga viti 2013 çmimet kanë pësuar një rritje të frikshme.

Këtu Rama ka nxjerrë fytyrën tjetër, atë të politikanit që tenton t’i shpëtojë të vërtetës, nëpërmjet retorikës boshe.

E tillë ishte përgjigjia sipas së cilës, paratë e buxhetit shkojnë për fëmijët dhe jo për pensionistët.

“Nëse doni të kuptoni dhe të bisedojmë konkretisht bëjeni me mua. Nëse doni përralla dhe lodra, keni plot për lodra, unë s’jam për lodra. Unë ju kam thënë me kohë: Pensionet ne do t’i shikojmë kur të kemi fuqi t’i shikojmë sepse ne nuk mund të bëjmë luftë me fëmijët. Taksat janë për fëmijët nuk janë për të moshuarit. Janë për kopshte, për shkolla, për fëmijët. Sa më shumë të marrësh nga taksat aq më shumë i godet ata” tha Rama.

Një tjetër piruetë që u detyrua të bëjë Rama ishte ideja që hodhi, se nëse paratë do të shkojnë të gjitha për pensionet, mund të ndodhin skenarë apokaliptikë si ai me firmat piramidale, që “shkatërrojnë shtetin” apo se shoqëria siç tha ai “mund të vdesë”.

Lexo më shumë  Konjufca pret komisionerët parlamentarë të Bavarisë: Mërgata na ka afruar

“Duhet balancë. Nuk mund të merren nga taksat dhe të futen te pensionet se vdes shoqëria, komplet, nuk merr dot frymë. Përveçse hyn në ato tmerret financiare.” tha Rama ndërsa gjendej nën një kërkesë të pazakontë llogarie për të.

Pavarësisht këtyre, ankesat nuk kanë pushuar. Si për rritjen e çmimeve, faturat e energjisë elektrike, vonesat në shërbimet në shëndetësi, pagesat në spitale, çmimi i naftës etj.

Kulmi ka qenë kur një prej pensionisteve i ka përsëritur se pensioni që merr është 200 mijë lekë dhe me të, nuk mund të bësh asgjë. Këtu shefi i qeverisë ka bërë një reagim kërcënues, duke i thënë bashkëbisedueses të ketë kujdes çfarë flet sepse duhet të mendojë për familjen e saj.

“Vetëm një këshillë të jap unë: Nëse do veten, familjen dhe punën mos voto ato që je mësuar të votosh. Se e kuptoj se çfarë po thotë” u shpreh Rama.

Kërcënimi ishte i drejtpërdrejtë dhe vjen nga kryeministri që ka nën vete një ushtri patronazhistësh, të cilët mund të gjejnë në pak sekonda të afërmit, burimet e të ardhurave, punësimet në shtet apo biznesin që disponon një familje. Me këtë kërcënim është mbyllur edhe biseda për pensionet.

Në fakt, fjalët intimiduese të Ramës nuk duhen parë thjesht simptoma e një njeriu që nuk është mësuar ta kundërshtojnë, por ajo është edhe prova më e mirë se luga për pensionistët është bosh, ndërsa e gjithë përpjekja për të bashkëbiseduar me ta në të gjithë Shqipërinë, është një operacion banal propagandistik. / Lapsi.al/

YouTube player