Për një të drejtë elementare evropiane të një populli, koha është gjithmonë tani. Jo nesër, po tani
Nga Bekim Qoku
Për një të drejtë elementare evropiane të një populli, koha është gjithmonë tani. Jo nesër, po tani.
Shqiptarët shtetar apo drzhavnikë të maqedonizmës nga radhët e BDI/ASH po na thonë që nuk është koha tani për t’ia dhënë vendin e merituar gjuhës shqipe, e cila është gjuhë amë e qytetarëve që janë rreth 35% të popullsisë së përgjithshme të MV.
E kur do na qenka rasti tjetër? Po ju them me bindje të plotë: Kurrë. Kurrë nuk do të hapet kushtetuta dhe të ndryshojë me qëllim për të drejtat e shqiptarëve. Të paktën kurrë pa konflikt.
Sa herë që do hapet kushtetuta e MV për ndonjë ndryshim, gjithmonë do të bëhet fjalë për një çështje “shtetare” – “државнички”, dhe nuk do të jetë asnjëherë “koha tani” për gjuhën shqipe apo për asgjë të interesit shqiptar.
Politikanëve shqiptarë të ambasadave po ju del boja.
Sepse kjo bashkësi ndërkombëtare me përfaqësuesit e saj aktualë ka një qasje dukshëm jo miqësore ndaj shqiptarëve në Ballkan. Shihet qartë se ata duan stabilitet me çdo kusht në Ballkan, i cili arrihet duke favorizuar dhe kënaqur fuqitë më të mëdha në kurriz të popujve më të varfër e më të pafuqishëm si shqiptarët, boshnjakët, sllavomaqedonasit etj.
Tani, kjo qasje e tyre megjithëse nuk duhet mirëkuptuar, duhet kuptuar, sepse secili mbron interesin e vet. Vlerat universale të perëndimorëve kanë mbetur në letër.
Por nuk ka pse të mirëkuptohet miratimi i padiskutueshëm i këtyre politikave nga ana e përfaqësuesve të popujve që do ta pësojnë nga kjo qasje e ndërkombëtarëve. Nuk duhet mirëkuptuar assesi mentaliteti i skllavit, mentalitet të cilin këta figura të kompromituara e përdorin si kartën e vetme legjitimuese në arenën ndërkombëtare.
Rruga Press