KryesoreLajme

Për klikime, media abuzoi në raportimin e ngjarjes te shkolla Fan Noli

Dhjetëra media shqiptare cenuan etikën duke raportuar në shkelje të shumta ngjarjen e rëndë që përfshiu të hënën një grup të miturish të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku pas një zënke njëri prej tyre humbi jetën, ndërsa dy të tjerë përfunduan në spital.

Tituj, komente, fotografi dhe intervista abuzive u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale teksa e njëjta qasje u has edhe në median tradicionale ku nuk munguan edhe emisionet me vëmendje të shtuar në detaje apo ndjeshmëri ngjarjes.

Qasja abuzive, e konsideruar “për klikime” apo “konsum” anashkaloi aspektet njerëzore apo profesionale në raportimin e kësaj ngjarjeje.

Pa patur deklarata nga autoritetet ligjzbatuese, mediat etiketuan një prej të miturve si “autor të vrasjes” ndërsa gazetarë të shumtë intervistuan bashkëmoshatarë të viktimës, pa filtra apo fshehje të identitetit edhe pse ata kategorizohen si minorenë.

“Është shumë jo – etike! Pavarësisht se ne mendojmë se e dimë çfarë ka ndodhur, pa u zbardhur zyrtarisht dhe pa dhënë një vendim përfundimtar gjykata, askush nuk mund të konsiderohet as vrasës, as kriminel” tha për Citizens Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Shqiptarë të Medias.

Lexo më shumë  Tifozët Kuq e Zi kërcënojnë me veprime radikale kundër Evropianit “Shqipëri-Serbi”

Cukali këmbënguli se për sa kohë ngjarja përfshin të mitur në asnjë rast fotot e tyre nuk duhen botuar në media.

“Asnjëri nga ata qoftë, i vdekur, qoftë i gjallë, qoftë fajtor, qoftë pa faj, nuk i duhen publikuar fotot. Kjo jo vetëm për shkak të moshës, por edhe sepse nuk mund t’i shkaktohet më tepër dhimbje familjes, duke ia ekspozuar djalin që e kanë të vdekur nëpër media,” komentoi Cukali.

“Është pjesë e kodit të etikës dhe është ndjeshmëria ndaj familjes së viktimave edhe ndaj vetë viktimave” theksoi kreu i KSHM-së.

Sipas Cukalit më shqetësues është fakti se publiku nuk po ndalet për të kuptuar se çfarë problemesh sociale shfaqi ky krim, por me “banalitetin e lajmit” se “kush e kush të nxjerrë më shumë kuriozitetin”.

“Pak kush po merret me thelbin e problemit që është fenomeni shoqëror dhe pse shoqëria, arsimi dhe familja shqiptare kanë arritur deri në këtë pikë që po prodhojnë fëmijë që i marrin jetën njëri-tjetrit për asgjë” përmblodhi Cukali.

Lexo më shumë  Mustafi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, shuplakë për shqiptarët

Lidhur me ngjarjen kanë reaguar disa institucione përfshirë Presidenti Bajram Begaj.

“Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdolloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë,” ishte një nga thirrjet e Presidentit, i cili iu bashkua grupeve që ndajnë opinionin se keqpërdorimi i platformave sociale po amplifikon sjelljet dhe modelet e dhunshme te të rinjtë.

Edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive bëri thirrje për profesionalizëm dhe përgjegjësi maksimale, përputhur me standardet e parashikuara në ligjin 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

“Gjatë monitorimit është vënë re edhe publikim të dhënash dhe hollësish të panevojshme apo të pakonfirmuara, të cilat përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore”- citohet në reagim. /citizens.al/

YouTube player