KryesoreLajme

Për herë të parë në Kosovë realizohet ndërhyrja kirurgjikale minimal invazive PCNL për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka shënuar një avancim të rëndësishëm në fushën e urologjisë, duke realizuar për herë të parë në Kosovë intervenimin kirurgjik minimal invaziv Nephrolitotomia Perkutane (PCNL – Percutaneous Nephrolithotomy) për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se deri më tani, pacientët me këtë patologji kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Fillimi i aplikimit të kësaj procedure në QKUK përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve urologjike dhe në ofrimin e trajtimeve moderne brenda sistemit publik shëndetësor në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Kufizohet rritja e çmimeve për naftën dhe benzinën. Kusari-Lila: Çdo shkelje do të ndëshkohet

Tutje bëhet e ditur se procedura është realizuar nga ekipi i Klinikës së Urologjisë në bashkëpunim me Klinikën e Anesteziologjisë, duke përdorur teknologjinë bashkëkohore të laser-it holmium, e cila mundëson thyerjen dhe largimin e gurëve në veshka përmes një qasjeje minimale invazive.

“Metoda PCNL përdoret për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka dhe realizohet përmes një prerjeje shumë të vogël në lëkurë, duke mundësuar qasje direkte në veshkë. Kjo teknikë redukton traumën kirurgjike, kohën e qëndrimit në spital dhe periudhën e rikuperimit të pacientit. Pacienti me inicialet N.M., i lindur në vitin 1967, është rasti i parë që i’u nënshtrua me sukses këtij intervenimi dhe është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Haxhiu zotohet të veprojë në përputhje me Kushtetutën si u.d. e presidentes

Rruga Press

YouTube player