Për 20 vjet në veriun e Kosovës stabiliteti i është besuar eksponentëve të lidhur me krimin
Nga Donik Sallova
– Nuk mund të ketë stabilitet pa demokraci. Ky është mësimi që amerikanët e nxorrën nga rënia e Afganistanit në duart e talebanëve pas 20 vitesh stabiliteti të garantuar prej Amerikës atje. Prandaj sot Amerika po i sanksionin nëpër vende të ndryshme të botës të gjithë ata eksponentë politikë të korruptuar dhe të lidhur me krimin si minues të demokracisë.
– Nuk mund të ketë demokraci stabile pa shtet ligjor. Kjo është teorike tashmë. Të besosh se stabiliteti mund të garantohet duke u mbështetur tek të korruptuarit do të thotë t’ia dorëzosh qeverisjen krimit. Kjo ka ndodhur për 20 vjet në veriun e Kosovës, i është besuar stabiliteti eksponentëve të korruptuar politikë të lidhur me krimin. Kjo ka sjellë stabilitet të kriminalitetit, por jo demokraci stabile. Standardet e kriteret demokratike të kërkuara në proceset zgjedhore në gjithë Kosovën, janë toleruar të shkilen drastikisht në komunat veriore. Këtu kanë përgjegjësi edhe organizatat vëzhguese ndërkombëtare si OSCE. Qytetarët serbë kanë votuar formalisht zgjedhjen e bërë nga Beogradi.
– Të kërkosh sot të suspendosh demokracinë për të garantuar stabilitetin e krimit do të thotë të legjitimosh pushtetin e krimit kundrejt shtetit ligjor. Kjo do të thotë se nuk do ketë demokraci në veri e pa demokraci s’do të ketë integrim, meqë deri më sot toleranca ndaj krimit nuk na e solli integrimin!
– Prandaj, ata që e duan Kosovën të pandarë duhet të mbështesin atë si shtet ligjor që garanton demokraci stabile në gjithë territorin. S’mund të kenë rol politik në Kosovë ata që Amerika i ka shpallur non-grata për minim të demokracisë, cilatdo qofshin mjetet kriminale me të cilat ata e kërcënojnë stabilitetin e demokracisë sonë!
Rruga Press