Pekini u vetëshpall neutral për luftën Rusi-Ukrainë, por për mediat kineze Putini është viktima
Në deklaratat publike dhe në samitet ndërkombëtare, zyrtarët kinezë janë përpjekur të mbajnë një pozicion në dukje neutral për luftën në Ukrainë, duke mos dënuar veprimet ruse, e madje duke mos përjashtuar mundësinë që edhe Pekini mund të veprojë si ndërmjetës për paqen. Mirëpo ndërkohë që mesazhet ndërkombëtare kanë lënë vend për hamendësime mbi qëllimet e vërteta të Pekinit, shumica e mbulimeve mediatike, sa i takon pushtimit rus, shfaqin një realitet krejt tjetër.
Për popullsinë prej 1.4 miliardë banorësh në Kinë, pushtimi nuk është gjë tjetër veçse një “operacion special ushtarak”. Veç kësaj, sipas transmetuesit kombëtar CCTV, Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke financuar një arsenal armësh biologjike në Ukrainë dhe presidenti rus Vladimir Putin, është veçse një viktimë që po përpiqet të mbrojë një Rusi të rrethuar. Mediat kryesore të Kinës, i kanë bërë jehonë kryesisht lajmeve të mediave shtetërore ruse ose informacioneve nga zyrtarët rusë.
CNN shqyrtoi rreth 5000 postime në mediat sociale nga 14 media shtetërore kineze, gjatë tetë ditëve të para të pushtimit rus, të publikuara në platformën kineze, Weibo. Analiza zbuloi se gati 300 postime në lidhje me ngjarjet në Ukrainë – të shpërndara më shumë se 1000 herë – u klasifikuan si dukshëm proruse. Ato përmbanin informacione të marra nga zyrtarët rusë ose nga media shtetërore ruse.
Sakaq vetëm rreth 90 prej këtyre postimeve ishin neutrale – për shembull, raporte thjesht faktike nga burime të besueshme, lajme rreth ndihmave humanitare ose përditësime mbi evakuimin e qytetarëve kinezë nga Ukraina. Pak më shumë se një e treta ishin ato që CNN i klasifikoi si antiperëndimore ose anti-SHBA, për shembull: lajme që transmetonin pikëpamjet se Rusia ishte shtyrë të vepronte në Ukrainë nga zgjerimi i NATO-s. Gjithsesi, për shkak se CNN studioi vetëm postimet më të para ose më të pëlqyera, gjetjet mund të mos jenë përfaqësuese të të gjitha postimeve të prodhuara nga media shtetërore kineze. Ministria e Jashtme e Kinës ende nuk i është përgjigjur kërkesës së CNN për të komentuar këto gjetje.
Analizë nga CNN
Nuk është ende e qartë se deri në çfarë mase këto postime mund të jenë rezultat i një fushate të koordinuar propagandistike midis dy vendeve. Por duhet të kujtojmë se bashkëpunime të tilla midis mediave ruse dhe kineze kanë ndodhur shpesh. Raste të tilla si trajtimi i disidentëve rusë, protestat pro-demokracisë në Hong-Kong , origjina e pandemisë Covid-19, ose roli i supozuar amerikan në nxitjen e revolucioneve kundër regjimeve autoritare, janë vetëm disa nga tematikat ku mediat e këtyre dy vendeve, kanë ndarë mendime dhe informacione të përbashkëta.
Në mediat e kontrolluara nga qeveria e Kinës, të gjitha përmbajtjet e lidhura me shtetin, verifikohen dhe publikohen në përputhje me direktivat e qeverisë. Fakti që Kina ka zgjedhur të ndjekë shembullin e Rusisë, sa i takon situatës në Ukrainë, shërben vetëm për të theksuar afërsinë e Pekinit me Moskën.
Bashkëpunimi me mediat ruse
Garancia ruse se vendet me civilë nuk do të jenë në shënjestër të sulmeve, etiketimi i ushtarëve ukrainas si “nazistë” dhe keqinformimet në lidhje me vendndodhjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, janë të gjitha informacione që janë përcjellë nga burimet ruse në Kinë.
Transmetuesi shtetëror i Kinës CCTV, shkoi deri aty sa në edicionin e lajmeve nënvizonte pretendimin e Moskës se Uashingtoni kishte financuar zhvillimin e armëve biologjike në laboratorët ukrainas. Kjo insinuatë u përdor për të mbështetur narrativën se Ukraina – e konsideruar nga Moska si një shtet kukull amerikan – kërcënon Rusinë, dhe jo anasjelltas. Burimi për këto lajme në mediat kineze, u bë deklarata e Zëdhënësit të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, i cili tha se forcat ruse zbuluan “prova” të financimit të programit biologjik ushtarak nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së.
Në një deklaratë në Twitter, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kundërshtoi pretendimet e rreme të Rusisë për laboratorët e dyshuar të armëve biologjike dhe vuri në dukje jehonën e këtyre teorive konspirative nga zyrtarët kinezë.
“Kjo është absurde! Është lloji i dezinformimit që kemi parë në mënyrë të përsëritur ndër vite nga rusët në Ukrainë dhe në vende të tjera. Tani që Rusia ka bërë këto pretendime të rreme dhe Kina në dukje e ka mbështetur këtë propagandë, ne të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm se ndoshta do të jetë Rusia ajo që do të përdorë armë kimike në Ukrainë, ose mund të krijojë një operacion të rremë duke i përdorur ato.”
Jen Psaki
Pak minuta pasi CCTV transmetoi këtë pretendim të rremë, Ministria Ruse e Mbrojtjes krijoi një hashtag në platformën kineze Weibo, që u shndërrua në trend. Hashtag-u u pa më shumë se 45 milionë herë në pak orë.
Këto situata u bënë të përsëritura shpesh në të gjitha mediat kineze. Kur një gazetar i medias shtetërore në një konferencë për shtyp të Ministrisë së Jashtme, bëri një pyetje në lidhje me laboratorët kimikë, zëdhënësi për shtyp, Zhao Lijian, nisi të lexonte një deklaratë të gjatë tipike të dezinformimit rus. Brenda pak orësh, të paktën 17 media shtetërore, përfshirë CCTV, Xinhua dhe People’s Daily, postuan përgjigjen e Zhaos në Weibo ku mori më shumë se 210 milionë shikime.
Sipas një raporti të Global Times, ekzistojnë një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim midis mediave kineze dhe ruse sa i takon përmbajtjes së lajmeve, dhe vizioni i përbashkët i tyre është: “Të thyejnë monopolin e medias perëndimore.” Menjëherë sapo nisi pushtimi i Ukrainës, shumë media, portale dhe platforma sociale në Rusi u bllokuan, por në Kinë kanale si CGTN dhe Global Times, të cilat vazhdojnë të funksionojnë, përzgjedhin dhe transformojnë lajmet, sipas propagandës ruse, duke shpërndarë informata të rreme.
Censura e medias kineze
Pekini deri më tani ka qëndruar larg vendimeve perëndimore ndaj pushtimit të Rusisë, dhe diplomatët e Kinës refuzojnë ta dënojnë atë, e madje edhe ta quajnë të tillë. Në një samit virtual me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, udhëheqësi kinez, Xi Jinping, bëri thirrje për negociata paqësore dhe premtoi se do të kontribuonte me ndihma humanitare në Ukrainë.
“Ka një ndryshim midis mënyrës se si Kina flet me audiencën ndërkombëtare dhe mënyrës se si flet me audiencën vendase. Për audiencën vendase, është e rëndësishme të ruhet partneriteti me Rusinë, sepse ky është një prioritet politik për Xi Jinping. Pra, udhëheqësit e Kinës duhet të shpjegojnë pse përballja me Rusinë është e justifikuar moralisht ose është gjëja e duhur për t’u bërë dhe mbulimi mediatik i Kinës i shërben këtij qëllimi.”
Alexander Gabuev, Anëtar i lartë në Qendrën Carnegie Moskë
Një vështrim se si Kina mund të kërkojë të kontrollojë mbulimin e saj mediatik u pa në ditët para pushtimit të Ukrainës, kur një direktivë e brendshme – që me shumë gjasë u shpërnda aksidentalisht në mediat sociale – publikoi faktin se media shtetërore kineze, Beijing News, urdhëroi punonjësit e saj të mos publikonin raporte lajmesh që ishin negative për Rusinë apo që do të ishin properëndimore.
Një shembull tjetër i censurës lidhur me këtë temë ishte rasti kur CCTV transmetoi një fjalim nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik, Andrew Parsons, në ceremoninë e hapjes së Lojërave Paralimpike të Pekinit, në të cilin shumë pjesë të fjalimit të tij nuk u dëgjuan ose nuk u përkthyen. “Mesazhi i paqes i Parsons” – në të cilin ai nuk përmendi në fakt as Rusinë dhe as Ukrainën, por tha se ishte “i tmerruar nga ajo që po ndodhte në botë” – u censurua menjëherë.
Ata zëra nga brenda Kinës që janë përpjekur të flasin – si pesë profesorë të historisë që kanë shkruar një letër të hapur, duke shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj “luftës së Rusisë kundër Ukrainës” – kanë hasur vështirësi në aksesin e rrjeteve të tyre sociale. Sipas Global Times, platformat e mediave sociale në Kinë kanë ndërmarrë veprime kundër zërave ndryshe. Rreth 75 llogari u mbyllën, më shumë se 1500 postime e mbi 6000 video u censuruan.
Mosbesimi i thellë ndaj SHBA-së dhe shqetësimi për rolin e saj si fuqi kryesore globale, kanë qenë faktorë që kanë forcuar marrëdhëniet ruse dhe kineze, vitet e fundit. Reflektimi i kësaj marrëdhënie është parë qartësisht në media, ku si Rusia ashtu edhe Kina, janë përpjekur të thellojnë propagandën e tyre.
Marrë nga CNN
Rruga Press