PE-ja padit Komisionin për moszbatimin e kompetencave të sundimit të ligjit
David Sassoli, kryetar i Parlamentit Evropian, ka thënë të premten se Komisioni ka dështuar që t’i zbatojë masat që e ndërlidhin përmbushjen e normave të BE-së me lëshimin e fondeve nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike prej pasojave të COVID-19. “Ne tani presim që Komisioni i BE-së të veprojë. Fjalët duhet të kthehen në vepra”, ka thënë Sassoli
Parlamenti Evropian ka paditur të premten Komisionin Evropian – krahun ekzekutiv të BE-së – për dështimin që t’i ndëshkojë shtetet anëtare që e shkelin “sundimin e ligjit” përbrenda bllokut.
Veprimi, i cili e vë Komisionin përballë presionit për t’ua bllokuar fondet shteteve që e shkelin “sundimin e ligjit” të BE-së, sipas raportimit të transmetuesit amerikan CNN pritet që ta përshkallëzojë përplasjen e vazhdueshme midis Brukselit dhe Qeverisë polake.
David Sassoli, kryetar i Parlamentit Evropian, ka thënë të premten se Komisioni ka dështuar që t’i zbatojë masat që e ndërlidhin përmbushjen e normave të BE-së me lëshimin e fondeve nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike prej pasojave të COVID-19.
“Ne tani presim që Komisioni i BE-së të veprojë. Fjalët duhet të kthehen në vepra”, ka thënë Sassoli, raporton CNN.
Veprimi i Parlamentit të BE-së pason një vendim të gjykatës më të lartë polake të ndërmarrë në fillim të këtij muaji, i cili specifikon se Kushtetuta e vendit ka përparësi para disa prej ligjeve të bllokut. Ky vendim polak ka alarmuar shumë ligjvënës evropianë, të cilët pretenduan se masa i vë në rrezik themelet ligjore të bllokut. BE-ja ka paralajmëruar javën e shkuar se ka ardhur koha që të ndërmarrë veprime, duke ia frenuar vendit anëtar fondet shkaku i shkeljes së sundimit të ligjit.
Kriza e fundit ka ngritur mundësinë për një Polexit, pas largimit të Britanisë së Madhe nga blloku evropian.
Gjatë së premtes, Polonia ndërkaq ka tërhequr për konsultime ambasadorin e Belgjikës, vetëm një ditë pasi që kryeministri belg, Alexander De Croo, e akuzoi Varshavën zyrtare se po luan me zjarrin lidhur me situatën e përkeqësuar me Brukselin rreth sundimit të ligjit.
Qeveria polake ka bërë të ditur se do ta mbrojë veten në rast Brukseli e nis atë që e cilësoi si Luftë të Tretë Botërore, duke ia mbajtur peng fondet në mosmarrëveshjen për reformat gjyqësore.
Ambasadori belg është bërë e ditur se është ftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë për t’i shpjeguar komentet e kryeministrit De Croo.
KE-ja i ka kërkuar Polonisë që të tërheqë regjimin disiplinor për gjykatësit, që sipas kritikëve tani janë nën kontrollin e politikës. Ky veprim i shtetit polak ka bllokuar ndihmën ekonomike në vlerë prej 36 miliardë eurove. Gjykata Evropiane ia ka vendosur Polonisë një gjobë prej 1 milion eurosh në ditë, me justifikimin se vendi anëtar i bllokut ka dështuar t’i tërheqë masat ndaj gjykatësve./koha/