PDK s’do që diaspora të votojë
Shkruan Vudi Xhymshiti
Partitë opozitare të udhëhequra nga PDK, LDK dhe AAK, të shoqëruara nga Lista Serbe, e kanë shtyrë përpara vendimin që ia ndalon diasporës printimin e fletës së votimit dhe e detyron ta presë atë me postë.
Dhe ja ku vjen absurdi: Posta dhe Telekomi i Kosovës e kanë bërë me dije se nuk kanë kapacitet t’i përpunojnë dërgesat në kohë.
Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ e ka ditur këtë. Megjithatë, vendimi u shty përpara. PDK madje e shtyu me ngulm.
Kjo nuk është çështje teknike. Kjo është manovër politike. Kur e di që posta nuk funksionon në kohë, por sërish e bën atë kushtin e vetëm, atëherë qëllimi është i qartë: ngadalëso, pengo, blloko.
Nuk ka më vend për eufemizma. Ky vendim është pjesë e një përgatitjeje për reduktimin e votës së diasporës, sepse dikujt i pengon fuqia e saj politike. Dhe askush të mos tallet me inteligjencën e qytetarëve duke e quajtur “procedurë administrative”.
Nëse një grup partish bashkëpunon me Listën Serbe për të krijuar barriera të tilla, atëherë problemi nuk është diaspora, problemi është frika nga diaspora.
Kosova nuk meriton lojëra të fshehta pas vendimeve të KQZ-së. As votuesit jashtë vendit nuk meritojnë t’u shkurtohet zëri me mekanizma të tillë të llogaritur e të mbështetur nga Beogradi.
Koha për pyetje është e thjeshtë dhe e vetme.
Pse po e bëjnë?
Dhe kujt i shërben që diaspora të mos votojë?
Rruga Press

