Editorial

Pavarësia e civilit në analet e paguximit

Editorial nga Elvis Hoxha

Ndoqa një bisedë në një studio televizive. Pak rëndësi ka se në ç’studio, cili ishte, cilët bisedonin. Si rëndomë, ajo që më preku ishte dija relative e natyrshme për një person që do ta cilësoj këtu me emrin hibrid që i shkon më shumë: civilo-analist. Komunikimi i këtyre qenieve përcaktohet nga fakti se janë të paguar mirë pikërisht se mendojnë përgjysmë dhe se nuk kanë protestuar ndonjëherë. Dija pas së cilës fshihen është në fakt gjithnjë në përpjestim me pakësimin e guximit.

Pra, nuk ka rëndësi të citojë saktë e me emra. Të tillë si ky shihni e dëgjoni në shumë studio televizive dhe aula universitetesh ku flitet shqip. Zbehja e guximit është sëmundje shtresore, shoqërore, arsimore, por është edhe burim suksesi. Tipat me dije relative janë shumë të mirë për marrëdhëniet e sotme ekonomike dhe për mënyrat sesi shpërndahen financat. Duke qenë se nuk kanë ndonjë moral për të tradhëtuar, ata mund të fitojnë vetëm duke mbajtur pozicionet më të huaj ndaj shoqërisë ku lindën e u rritën. Këta tipa janë edukuar nëpër mastera aq të neutralizuar sa flasin nëpër studio televizive si me qenë ndërkombëtarë.

E dëgjoja këtë civilo-analistin dhe habitesha me këmbënguljen e tij. Kosova do ta bëjë patjetër asociacionin thoshte ai. Gjallohej i tëri nga një dëshirë e brendshme për të thënë se e keqja do të na ndodhë patjetër. Nga kjo dhunti e tij dhe e ca masterxhinjve të tjerë, na lind gjenetikisht frika dhe mbajtja e pozicionit të armikut. Duhet ta kemi të qartë: në aspektin logjik, të jesh neutral mes Kosovës dhe Serbisë, kur deklaron se je shqiptar, në Prishtinë apo Tiranë, do të thotë se je serb e aspak neutral.

Më pas ky tipi këmbënguli, nuk e di se sa herë, duke propozuar edhe që ne shqiptarët ta përshtasnim Zajednicën me Kushtetutën e Kosovës. Ai tha se kështu e çmendnim Serbinë. Pra, sipas tij ne duhet ta vinim inteligjencën ligjore dhe qeveritare në disozicion të Serbisë, nuk e di se në emër të çfarë parimi unievrsal. Por, në fakt, ky veprim nga ana jonë do të ishte për çdo njeri sado pak të sinqertë me veten lehtësim i Serbisë në planin e interesave të saj. Sepse sipas tij, ta çmendësh Serbisë, do të thotë me i lehtësu punë asaj. Serbia është mësuar që me masterxhinj të tillë si specialistë e me politikanë të korruptuar si përfaqësues të shqiptarëve në dialogjet e së shkuarës, të shihte si mbrojtës tanë të mundshëm vetëm ndërkombëtarët.

Më pas po ky civili me master, sigurisht edhe anglishfolës i përkryer, i thoshte qeveritarit që kishte përballë: “Ti je i bindur që nuk e heq dot qafe asociacionin, por po e ndërton një narrativë. Sepse ti ke guxim, por nuk je racional”. Këtu ky civil i mjerë në mendim sovran, specialisti i neutralitetit, po e merrte veten për shumë të zgjuar dhe po i bënte qeveritarit presion psikologjik. Por, nga ana tjetër nuk po thoshte asgjë të re, veçse po deklaronte nën zë pagesën e frikës. Në shoqërinë tonë civilo-eksperte frika jep pare të madhe.

Po ta kisha ndopak mik këtë personazh, do t’i thoja se nuk e ndryshon mendimi i paguximshëm personin që ka përballë, por pikërisht racionaliteti i guximit, besimi se e vërteta mund të përputhet me të drejtën. Do t’i thosha po ashtu se racionaliteti pa guxim është gabim. Civilo-analisti në fjalë nuk kuptonte se ne ndërkombëtarët do të na i përmendin temat serbe ngaqë janë mësuar të na i përmendin tërë kohës. Edhe ndërkombëtarëve do t’u duhet kohë të ndërtojnë një racionalitet të ri lidhur me ne. Madje, nëse ne jemi me tru në kokë e sovran në mendim, ndryshe nga ky civilo-analisti, me një stil tjetër mendimi, do t’i bindim ndërkombëtarët se jemi të pavarur e se mendimi i serbëve për pavarësinë e Kosovës nuk është çështja jonë më urgjente.

Më pas civilo-analisti tha se ndërkombëtarët do ta kërkojnë asociacionin pafundësisht. Është po përsëri detyrë e tij të na hedhë në fatalitet. Në mendjen e tij historia botërore është e zgjidhur tashmë, para se të lindte ky civilo-analist. Sipas tij, në historinë botërore fati i shqiptarëve është minimal në dozë, madje është konsumuar tashmë. Shqiptarët duhet të shkojnë drejt zhdukjes si komb e territor. Nëse ky civilo-analist do të ishte edukuar për interesat e shqiptarëve do të mendonte përkundrazi se historia botërore është e hapur për shqiptarët. Dhe se me lëshimet që ndërkombëtarët i kanë bërë Serbisë në Bosnje, me pranimin faktik të republikës gjenocidale serbe, nuk kanë arritur ta bëjnë Serbinë më të mirë e as ta sjellin stabilitetin. Kështu që ne na takon t’i bindim se drejtësia dhe e vërteta e sjellin stabilitetin e jo fshehja e krimit dhe tolerimi i Serbisë pa kufi. Kështu që ka shumë mundësi që po patën edhe mbështetjen tonë, si dhe po panë Kosovën si shtet të qëndrueshëm moral dhe progresiv, të jenë vetë ndërkombëtarët që -nuk e përmendin më Zajednicën. Këtë civilo-analisti ynë nuk ka si ta dijë. Ai ka lindur shqiptar vetëm për t’iu thënë shqiptarëve se nuk është fat të jesh shqiptar. Fataliteti paguan dhe civilo-analisti bën jetë të mirë.

Është e vështirë ta kisha mik një paguximtar të tillë, por le të supozojmë për një çast se do ta njihja këtë civilo-analist. Atëherë do t’i thosha po ashtu se kompromisi nuk duhet t’i kërkohet prej nesh përfaqësuesit tonë, sepse ne i kërkojmë vetëm besimin e dijes dhe guximin e së vërtetës. Do t’i thosha se Kosova paska qenë me fat të madh që në kohë të Thaçit dhe Mustafës në opozitë ishte LV-ja sepse, po të qe për këshillat e këtij specialistit dhe miqve të tij, Kosova do të ishte transformuar në një kompromis të madh ku nuk do të kishte më asnjë grimë pavarësie dhe sovraniteti.

Pastaj, në emër të nuk e di se cilit humanizëm, do t’i thosha të mos ishte aq gomar sa të deklaronte se mund t’i japim Zajednicë e ajo të na njohë. Sepse me njohjes dhe dhuratës nuk ka lidhje. Por nuk po i them gomar për këtë çartje. Po i them gomar sepse nuk kupton asgjë nga ajo ç’i thotë ai që ka përballë. Qeveritari përballë po i thotë: “Serbia ka deklaruar që nuk na njeh, kështu që nuk ka se ç’diskutoj me të përveçse t’i gjegjem se Kosova nuk e njeh. Dhe kjo për hir të parimit të thjeshtë të ekzistencës dhe subjektivitetit: reciprocitetit”. Por, besoj se ju e keni kuptuar, civilo-analisti nuk ka subjektivitet. Ai punon për cilindo që i jep pagën.

Ps. Kam menduar gjithnjë se ne duhet t’i kërkojmë ndërkombëtarëve të programojnë mastera nëpër botë ku t’u flasin studentëve shqiptarë për të drejtën e tyre për sovranitet politik. T’u thonë se edhe shqiptarët e kanë të drejtën e të menduarit sovran. Sepse kemi shumë tipa që studiojnë e diplomojnë vetëm për ta menduar të pamundur sovranitetin e shqiptarëve. Ndoshta po ua mësuan ndjenjën e pavarësisë shqiptare në anglisht, do të bëjën pak përparime në të qenit shqiptar.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *