Pasuritë e paluajtshme do të kontrollohen nga shteti, projektligji në kuvend
Fatura financiare për 1 vit shkon 4 milionë e 140 mijë lekë
Të gjithë personat që ushtrojnë aktivitetin në fushën e pasurive të paluajtshme (tregu imobiliar) do të licensohen nga Ministria e Drejtësisë.
Ajo është autoriteti shtetëror përgjegjës, i cili, në përputhje me rregullat dhe procedurat certifikon personat fizikë që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si ndërmjetës të pasurive të paluajtshme. Certifikimi kryhet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga dorëzimi i kërkesës për pajisjen me certifikatën e ushtrimit të profesionit, për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme.
Këtë e thotë projektligji i propozuar nga digasteri në fjalë që aktualisht ështe depozituar në zyrat e kuvendit, por që nuk ka nisur të shqyrtohet ende nga komisionet parlamentare.
Efektet financiare në buxhetin e shtetit që sjell projektligji janë në shumën 4 milionë e 140 mijë lekë për një vit
Referuar relacionit shpjegues të projektligjit, ai ka si synim të garantojë ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si një profesion i lirë dhe i rregulluar në përmbushje të qëllimit për ndërmjetësimin e veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të drejtave reale mbi to në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, citohet se, ndërmarrja e kësaj nisme ligjore vjen si pasojë e detyrimeve që Shqipëria ka marrë përmes angazhimit politik të nivelit të lartë për të punuar me Task-Forcën për Veprimin Financiar (FATF) dhe MONEYVAL për të forcuar efektivitetin e regjimit të saj në luftën kundër pastrimit të parave. Një nga masat kryesore është pikërisht ngritja e një legjislacioni për certifikimin e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, në mënyrë që bashkëpunimi për parandalimin e pastrimit të parave të kryhet edhe nëpërmjet masave të marra për certifikimin e tyre dhe formalizimin e tregut, i cili ndikon drejtpërdrejtë në tregun e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme, që është një nga elementet kyç të pastrimit të parave në Shqipëri, sipas raportit.
“Në raportin MER 2018 (Mutual Evaluation Report) për Shqipërinë është përcaktuar se sektori i pasurive të patundshme vlerësohet se paraqet një rrezik shumë të lartë për pastrimin e parave. Niveli i lartë i ekonomisë informale, e kombinuar me përhapjen e lartë cash përbën rrezik për pastrim parash. Një gjë e tillë tashmë është pohuar edhe nga vetë agjentët e tregut, që tregojnë se ka një sërë elementesh që nuk përputhen në logjikën e përgjithshme që ndjek tregu. Sipas tyre ka një rritje të çmimeve për metër katror të shtëpive në Tiranë, në nivele të tilla që nuk justifikohen vetëm nga taksat, teksa edhe kërkesa vijon të mbetet e lartë. Profesioni i noterit konsiderohej historikisht shumë i prekshëm për shkak të përfshirjes në transaksionet e pasurive të paluajtshme, por vetëdijësimi dhe zbutja e tij mbi rrezikun janë përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Pas kontrolleve të rritura mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme, në ditët e sotme rreziqet më të larta konsiderohet të jenë të pranishme në transaksione ku noterët dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme nuk janë të përfshirë (transaksione joformale).”- argumentohet në relacion duke theksuar nevojën për një rregullim tërësor të tregut.
Projektligji sanksionon të drejtat dhe detyrimet/përgjegjësitë minimale të palëve, që marrin përsipër me lidhjen e kontratës së ndërmjetësimit ndërmjet tyre, rregulla mbi tarifat e ndërmjetësimit si dhe mbi detyrimin e ndërmjetësimit për mbajtjen e një regjistri fizik në zyrë, ku regjistrohen të gjitha veprimet juridike të ndërmjetësuara me pasuritë e paluajtshme.
Gjithashtu parashikon përcaktimin e rregullave të hollësishme mbi mbikëqyrjen e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, fillimin e hetimit disiplinor nga ministri i Drejtësisë, si dhe procedimin disiplinor të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme nga Komiteti Disiplinor dhe regjistrimin e masave disiplinore. Trajton shkeljet dhe masat disiplinore si dhe e drejta e ankimit e subjektit që i është nënshtruar procedimit disiplinor.
Projektligji detyron që ndërmjetësi nuk mund të kryejë njëkohësisht profesionin e noterit, të avokatit, të përmbaruesit gjyqësor si dhe funksione apo detyra të tjera në organet publike, të cilat me ligje të veçanta i ndalohen. Po kështu, përcaktohen rastet kur ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme nuk duhet të marrë përsipër kryerjen e veprimeve për ndërmjetësimin e veprimeve juridike me pasuritë e paluajtshme veçanërisht kur ka konflikt interesi.
Projektligji parashikon tarifat dhe mbikqyrjen periodike nga Ministria e Drejtësisë.
Parashikohet në këtë projektligj gjithashtu përfundimi i kontratës së ndërmjetësimit, me mbarimin e afatit për të cilin është lidhur, nëse veprimi juridik për kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme ose të drejtat reale mbi to, për të cilën është ndërmjetësuar, nuk është kryer brenda asaj periudhe. Por, në rast se gjatë 12 muajve pas përfundimit të kontratës së ndërmjetësimit klienti përfundon një transaksion juridik që rrjedh nga veprimet e ndërmjetësit para përfundimit të kontratës së ndërmjetësimit, ai ka detyrimin t’i paguajë ndërmjetësuesit tarifën e plotë, përveç kur në kontratë është parashikuar ndryshe.
Aktorët e fushës janë kundër kontrollit të tregut nga shteti
Aktorët e tregut janë kundër projektligjit të sjellë në këtë formë. Dritan Caka kreu i Shoqatës së Ndërmjetësimit të Pasurive të Paluajtshme tha në një bisedë telefonike gazetës “Si” se është kundër projektligjit nga mënyra se si është hartuar. Ai ka kërkuar që të jetë prezent në komisionin e ligjeve kur të nisë të shqyrtohet projektligji dhe “është herët të flasim tani, pa nisur diskutimet në kuvend”.
Sipas aktorëve të tregut kjo është e gabuar dhe ky treg nuk do të jetë më i lirë nëse projektligji miratohet ashtu siç është.
“Ne thjesht jemi subjekt ndërmjetësues mes shitësit dhe blerësit dhe jemi subjekt i ligjit ku jemi të detyruar të raportojmë kontratat një herë në vit pranë Drejtorisë së Pastrimit dhe Parandalimit të Parave. Pra ne qeveria na kontrollon, nuk ka pse të bëjë një kontroll më shumë se ç’duhet. përmes dhënies dhe heqjes së licencave. Këtë duhet ta bëjë dhomje”- thonë ata.
Përfaqësues të tjerë thonë se projektligji adreson vetëm 50% të kërkesave të industrisë dhe duhet riparë vetërregullimi dhe vlerësimi i pronës në mënyrë të detyrueshme.