Pastrimi i parave/ BE-ja i kërkon Shqipërisë të vendosë një tavan për pagesat cash
Komisioni Europian i rekomandon Shqipërisë vendosjen e një shume tavan për pagesat me para fizike. Në raportin e fundit të analizës së përputhshmërisë së Shqipërisë me kuadrin ligjor dhe rregullator komunitar, Komisioni Europian vlerëson se vendi ynë është vetëm pjesërisht në përputhje me kuadrin e Bashkimit Europian për sa i përket hetimit të pastrimit të parave.
Pavarësisht progresit të fundit, legjislacioni i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me acquis të BE-së në këtë fushë.
Shqipëria ndodhet në listën e monitorimit të shtuar të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF) që nga shkurti i vitit 2020. Në vlerësimet e shkurtit 2023, FATF vlerësoi punën e Shqipërisë për të adresuar mangësitë strategjike dhe evidentoi se vendi ynë kishte përfunduar në mënyrë thelbësore planin e tij të veprimit për të adresuar rekomandimet e FATF. Megjithatë, për shkak të shqetësimeve për draftin e amnistisë fiskale dhe penale që ka paralajmëruar qeveria, Shqipëria mbetet në “listën gri” të FATF.
Pagesat me para cash ngelen dominuese në ekonominë shqiptare, megjithëse në vitet e fundit po vërehet një rritje e pagesave me instrumente alternative, kryesisht me karta bankare. Përdorimi i lartë i parasë fizike në transaksionet e ekonomike favorizon informalitetin dhe krimin financiar, përfshirë këtu pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.
Një kërkesë e ngjashme për vendosjen e një tavani për pagesat cash është shprehur prej vitesh edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme.
Aktualisht, Shqipëria nuk ka kufizime në vlerën e pagesave që mund të kryhen me para fizike për blerjen e mallrave apo shërbimeve.
Sipas Shoqatës së Bankave, vendosja e një tavani për pagesat cash të individëve do të ndihmonte në uljen e evazionit fiskal dhe do të ndihmonte në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar në përgjithësi. Gjithashtu, Shoqata e Bankave i ka kërkuar qeverisë që bizneset në Shqipëri të detyrohen të pranojnë të paktën një metodë alternative pagese, përveç parasë fizike.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e këtij viti numri i kartave bankare aktive arriti në 1.4 milionë, në rritje me 2% që nga fillimi i vitit.
Numri i kartave të debitit arriti në 1.21 milionë, në rritje 2.5% që prej janarit. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën afërsisht 87% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Ndërkohë, zhvillime pozitive këtë vit po regjistrohen në segmentin e kartave të kreditit. Në mesin e këtij viti, numri i kartave aktive të kreditit të sektorit bankar arriti në 116 mijë, me një rritje prej 3.4% që nga fillimi i vitit.
Vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 26.3 miliardë lekë, me një mesatare mujore prej 4.7 miliardë lekësh, nga 4.2 miliardë lekë që kishte qenë mesatarja mujore e vitit 2022.
Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohet me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që mesatarja e pagesave për pjesën e dytë të vitit të rritet më shumë. Besohet se rritja e fortë e turizmit është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në ekonominë shqiptare./ Monitor
Rruga Press