Bota

Pas rënies dramatike, bursat amerikane rimarrin veten brenda ditës

Pas javës më të vështirë për tregun e aksioneve amerikane që nga fillimi i pandemisë, paqëndrueshmëria e tregut vazhdoi edhe të hënën, pjesërisht për shkak të shqetësimeve për lëvizjet ushtarake të Rusisë pranë territorit të Ukrainës.

Në përfundim të ditës, Dow Jones u mbyll me 100 pikë më shumë, pas gati gjashtë ditësh humbjesh të njëpasnjëshme. Gjatë pjesës më të madhe të së hënës, u duk se do të rezultonte një ditë me humbje të mëdha. Indeksi ra me 1100 pikë (3.3%) përpara se të arrinte një rimëkëmbje të jashtëzakonshme.

Mendohet se kjo është rimëkëmbja më e lartë e arritur brenda një dite për bursën Dow dhe indeksin S&P 500, që nga tetori i vitit 2008.

“Tregu tashmë kishte filluar rënien. Shtimi i disa zhvillimeve gjeopolitike ishte në thelb një arsye tjetër për të shitur aksione”, tha Tom Essaye, president i Sevens Report Research, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në lidhje me kërcënimin rus ndaj Ukrainës.

Lexo më shumë  Suedia do të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe anti-dronë

Investitorët kanë pritur me ankth veprimet që pritet të ndërmarrë Rezerva Federale për të frenuar inflacionin, sepse rritja e normave të interesit mund të pengojë rritjen për ekonominë amerikane.

Një vendim për normat e interesit nga Rezerva Federale pritet të merret të mërkurën.

Kthesa e jashtëzakonshme e pasdites për tregun e aksioneve pasoi një ankand të Departamentit të Thesarit të bonove dyvjeçare.

“Kishte shumë kërkesa për atë ankand të Thesarit që doli në orën 13:00”, tha zoti Essaye për Zërin e Amerikës. “Njerëzit në treg panë situatën dhe thanë: ‘Uau, ndoshta investitorët dhe tregtarët e bonove nuk janë aq nervozë se mos Rezerva Federale do t’ja fillojë me rritjen e normave si gjithë të tjerët’.”

Lexo më shumë  Ekzekutohet muzikanti 18-vjeçar në Iran për pjesëmarrje në protesta

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë shqetësimet për paqëndrueshmërinë e tregut.
“Ne fokusohemi tek tendencat e ekonomisë, jo tek një ditë”, u tha të hënën gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki gjatë një konference të zakonshme për shtyp.

“Tregu është rritur rreth 15%” krahasuar me kohën kur Joe Biden mori detyrën nga Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara, vuri në dukje zonja Psaki, duke shtuar se “ndryshe nga paraardhësi i tij, presidenti nuk e shikon tregun e aksioneve si një mjet për të gjykuar për ekonominë”.

Rruga Press

YouTube player