Pas prishjes së koalicionit qeverisës gjerman, Scholz i kërkon një favor opozitës
Olaf Scholz sinjalizoi sot se është i gatshëm të nis bisedimet rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani.
Scholz shkarkoi Ministrin e Financave, Christian Lindner nga Partia Liberal Demokratike (FDP) të mërkurën, duke shkatërruar qeverinë e koalicionit të socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve.
“Unë theksova të mërkurën se dua të mundësoj zgjedhje të reja në Gjermani sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe ne duhet të flasim për datën në paqe”, tha kancelari, Olaf Scholz (Partia Social Demokratike e Gjermanisë SPD) në margjinat e takimit informal të samitit të liderëve të Bashkimit Evropian në Budapest, shkruan dw.
Ai tha se do të ishte mirë që edhe grupimet e tjera në Bundestag të diskutojnë se cilat ligje mund të miratohen ende para zgjedhjeve dhe se cila do të ishte koha më e përshtatshme për votëbesimin ndaj qeverisë së tij.
Kancelari gjerman më pas njoftoi se me ndihmën e partive të tjera në Bundestag, do të dëshironte të miratonte disa ligje të rëndësishme deri në fund të vitit dhe se më pas do të kërkonte një votëbesim në mes të muajit janar. Kjo do të thotë se zgjedhjet mund të mbahen deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm.
Opozita është shprehur e pakënaqur për këtë plan dhe kërkon që 66-vjeçari të iniciojë mocionin e votëbesimit sa më parë, mundësisht javën e ardhshme, në mënyrë që zgjedhjet e reja të mbahen sa më shpejt.
Sipas sondazheve aktuale të opinionit publik nga transmetuesi publik ZDF, 84 për qind e qytetarëve gjermanë duan që zgjedhjet e Bundestagut të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas sondazheve të Institutit Forsa, 57 për qind e qytetarëve duan gjithashtu që kandidati socialdemokrat në zgjedhjet e parakohshme të mos jetë kancelari aktual, Olaf Scholz, por ministri aktual i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Dhe mes votuesve të SPD-së, Pistorius kërkohet nga shumica e të anketuarve (58 për qind).
Rruga Press