Partia Socialiste e Francës shpreh shqetësim: Shitja e avionëve Rafale tek Serbia, aleati i Rusisë që po ndjek politikë sistematike të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor
Deklarata e Partisë Socialiste franceze, e datës 4 shtator 2024, si reagim ndaj shitjes së avionëve luftarakë francez Serbisë, nga ana e presidentit të këtij vendi, Emanuel Macron:
Me rastin e vizitës së tij në Serbi më 29 dhe 30 gusht 2024, Presidenti i Republikës franceze nënshkroi me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, një kontratë me vlerë afro 3 miliardë euro për dorëzimin e 12 avionëve Rafale të gjeneratës së fundit.
Nëse Partia Socialiste nuk mund të mos mirëpresë sukseset e industrisë franceze të mbrojtjes, ajo shpreh keqardhjen në këtë rast konkret për mungesën totale të konsultimeve parlamentare pikërisht kur Serbia jo vetëm që është në linjë me Rusinë, por ndjek një politikë sistematike destabilizimi në Ballkanin Perëndimor në muajt e fundit: duke sponsorizuar, më 23 dhe 24 shtator 2023, sulmin e një komandoje paraushtarake të ndaluar në veri të Kosovës nga policia lokale, ndërkohë që shefat e komandos gëzojnë mosndëshkimin në Serbi; duke organizuar zgjedhje parlamentare dhe lokale, në 17 dhjetorit 2023, të njohura si të kurdisura nga raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it; duke refuzuar më 23 maj 2024 të njohë përmbajtjen e rezolutës në lidhje me njohjen e gjenocidit të Srebrenicës dhe duke nxitur demonstrata mohuese; duke shtuar ngjarjet që promovojnë mitin e “Serbisë së Madhe”, siç është thirrja në qershor 2024 e një “Asambleje Pan-Serbe” në Beograd, ose gjatë hapjes së Shtëpisë së Serbisë në Paris, më 27 korrik 2024, përkrah boshnjakëve secesionistë të liderit serb të Republika Srpska, Milorad Dodik; duke u përafruar sistematikisht me pozicionin politik hungarez, i cili refuzon zbatimin e politikës evropiane të sanksioneve ndaj Rusisë; duke vijuar të refuzojë kryerjen e hetimeve për qindra kufomat e zbuluara pranë aeroportit ushtarak të Batajnicës, aty ku supozohet se do të zbarkojnë Rafalet francezë.
Në këtë kontekst, Partia Socialiste jo vetëm që nuk e kupton justifikimin e Presidencës teksa pohon se kjo kontratë do të lidhë Serbinë në Evropë, por shpreh solidaritetin e saj me shqetësimet e shprehura në rajon nga forcat dhe fuqitë demokratike dhe nga shoqëritë civile. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka frikë se, në nivel kombëtar, kjo kontratë i jep fund çdo pretendimi të shfaqur që nga viti 2019 për rikthimin e ndikimit të Francës në Ballkan, ndërsa në nivel europian diskrediton perspektivat e integrimit europian, duke dekurajuar kështu edhe më tej forcat reformuese dhe demokratike, më së pari ato në Serbi që i nënshtrohen regjimit autokratik të presidentit Vuçiq.
Partia Socialiste i bën thirrje Presidentit të Republikës franceze që të paraqesë në Kuvend kontratën për këtë shitje dhe ta pezullojë atë për sa kohë parametrat e përdorimit të këtyre avionëve Rafale dhe kontrolli i tyre demokratik nuk janë të regjistruar, të garantuar dhe të mbikëqyrur paraprakisht nga një marrëveshje për mbrojtjen.
Pas verbërisë të së djathtës që çoi në shitjen e anijeve Mistral në Rusi, Partia Socialiste po paralajmëron tashmë rrezikun e Serbisë në lidhje me dërgimin e armëve të ndjeshme.
Dylan Boutiflat, sekretar kombëtar për marrëdhëniet me jashtë
Anna Pic, deputet i la Manche, drejtues për mbrojtjen brenda grupit socialist dhe atyre që i janë bashkuar
Hélène Conway-Mouret, senatore, sekretare kombëtare në Mbrojtjen e Kombit
Rruga Press