Bota

Parlamenti serb pranon dorëheqjen e Vuçeviqit, 30 ditë afat për qeveri të re

Parlamenti i Serbisë ka pranuar zyrtarisht dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq të mërkurën, duke i hapur rrugën një afati 30-ditor për formimin e një qeverie të re ose thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Vuçeviq, kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe një aleat i presidentit popullist, Aleksandar Vuçiq, ka thënë dorëheqjen më 28 janar, mes protestave të shkaktuara nga shembja e një strehe betoni në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit, nëntorin e kaluar, ku 15 persona humbën jetën, raporton Reuters. 

Më shumë se 100,000 protestues janë mbledhur të shtunën e kaluar në Beograd për një nga demonstratat më të mëdha në dekada. Protestuesit thonë se katastrofa e trenit ishte një simptomë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të përhapur, të cilin qeveria e mohon.

Lexo më shumë  Pentagoni synon ta reduktojë stafin, rrezikohen deri në 50 mijë punonjës civilë

Sipas kushtetutës, presidenti Vuçiq tani ka 30 ditë afat për të propozuar një kryeministër të ri të emëruar për të udhëhequr qeverinë deri në vitin 2027, kur janë caktuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

“Parlamenti serb ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit dhe mandati i qeverisë përfundon”, ka thënë kryetarja e parlamentit Ana Brnabiq. 

“Afati i fundit për qeverinë e re është 18 prilli në mesnatë”, ka shtuar ajo. 

Nëse Vuçiqi nuk arrin të emërojë një kryeministër të ri brenda afatit të paraparë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 45 deri në 60 ditë.

Lexo më shumë  Gjermania rrit ndihmën ushtarake për Ukrainën

Seanca e parlamentit e mbajtur më 4 mars dhe që kishte dorëheqjen e Vuçeviqit si pikën e fundit të rendit të ditës ishte ndërprerë si pasojë e dhunws, pasi deputetët e opozitës protestuan kundër qeverisë dhe në mbështetje të studentëve demonstrues.

Protestat mbarëkombëtare kanë tronditur Vuçiqin, i cili ka mbajtur pushtetin që kur është bërë kryeministër në vitin 2014 dhe president në vitin 2017.

Protestat, të cilat filluan në Novi Sad në nëntor, janë përhapur që atëherë në pjesë të tjera të Serbisë.

Partitë opozitare kanë hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe kanë kërkuar një qeveri të përkohshme pa SNS-në. Mirëpo Vuçiqi e ka hedhur poshtë vazhdimisht një opsion të tillë.

Rruga Press

YouTube player