Lajme

Parlamenti Evropian diskuton raportet vjetore për Kosovën dhe Serbinë

Komisioni i Politikës së Jashtme i Parlamentit Evropian do të diskutojë në leximin e parë draftin e raporteve për Kosovën dhe për Serbinë. Këto dy raporte janë hartuar nga raportuesit për këto dy vende, Viola Von Cramon për Kosovën dhe Vladimir Bilçik për Serbinë.

Në draftin e raportit për Kosovën përshkruhet situata politike në vend, si dhe zhvillimet e fundit, përfshirë edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe raportet me Serbinë.

Në këtë tekst “mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktim të qartë gjeopolitik”.

Në këtë mënyrë, Parlamenti Evropian përshëndet aktin e aplikimit që Kosova kishte bërë në dhjetor të vitit të shkuar gjatë kryesimit të Çekisë në Bashkimin Evropian.

Tash Suedia, e cila e ka kryesimin e radhës, është duke zhvilluar kosultimet me vendet anëtare për hapat e mëtejmë në këtë proces.

Në draftin e raportit të hartuar nga Viola von Cramon, po ashtu, “mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Sipas planit,liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë më 1 nëntor të këtij viti, nëse deri atëherë hyn në funksion sistemi elektronik i BE-së për autorizimin e udhëtimeve, i njohur me shkurtesën ETIAS, ose jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Parlamenti Evropian përsërit edhe kësaj radhe thirrjen për njohjen e Kosovës si shtet sovran nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që akoma nuk e kanë bërë një hap të tillë.

Parlamenti Evropian do të ftojë Kosovën që të vazhdojë punën në reformat e nevojshme për progres në rrugëtimin evropian, ku në veçanti përmendet sundimi i ligjit dhe raportet me Serbinë.

Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili “do të forconte besimin e ndërsjellë”.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në tekstin e draftit të raportit për Kosovën dënohen edhe tensionet në veri të vendit, ndërsa mirëpritet pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale, si dhe përshëndeten edhe marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Parlamenti Evropian mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë edhe në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Në këtë pikë, në raportin për Serbinë, shprehet keqardhje për mospërshtatjen e Serbisë me qëndrimet e BE-së rreth sanksioneve ndaj Rusisë.

Serbisë i bëhet thirrje që të mbështesë këto qëndrime për të dëshmuar se është e orientuar drejt integrimeve në BE. Në veçanti, raporti përmend edhe hapësirën që Serbia u jep disa mediave nga Rusia, për të funksionuar dhe për të shtrirë propagandën ruse.

Në Parlamentin Evropian ka propozime edhe për kushtëzimin e vazhdimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë me BE-në, me mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Deputetët e Parlamentit Evropian do të kenë mundësi deri me 15 shkurt të dorëzojnë amandamentet e tyre për këto raporte dhe më pas do të votohet për to dhe për raportin në tërësi./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *