KryesoreLajme

Parlamenti Evropian bën thirrje për qasje të re në dialog e që Kosovës t’i hiqen masat

Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për një qasje të re të Bashkimit Evropian si ndërmjetësuese në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka tërhequr vërejtjen se dështimi në këtë dialog do të kishte pasoja edhe për besueshmërinë e Bashkimit Evropian si një faktor kredibil në politikën e jashtme. Kjo thirrje është përfshirë në një rezolutë të gjatë kushtuar funksionalitetit të BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, që është miratuar nga Parlamenti Evropian.

Po ashtu, me këtë rezolutë kërkohet që përgjegjësit për sulmet terroriste në Banjskë në shtator të nxirren para drejtësisë, dhe nëse vërtetohet roli i Serbisë në këtë, të ketë edhe ndëshkime për Qeverinë e Serbisë. Raporti në fjalë shpreh keqardhje edhe një herë për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Fton që ato të tërhiqen sa më parë, ndërkohë që përshëndet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kërkon nga Komisioni Evropian që të përgjigjet ndaj kësaj kërkese.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Po ashtu në këtë raport i bëhet ftesë Kosovës dhe Serbisë që në mënyrë konstruktive dhe në besim të mirë të kyçen në procesin e dialogut në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, bazuar në njohjen e ndërsjellë.

Raporti flet edhe për shumë gjëra tjera në fushën e politikës së jashtme, ku kërkohet që Bashkimi Evropian të jetë më konkret.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Po ashtu flitet edhe për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në mes të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, sikur edhe të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të çuar përpara interesat dhe vlerat e përbashkëta në fushën globale.

YouTube player