Opinion/Aktualitet

Parashikimi meteo-politik: 2022

Nga Blerim Reka

1. Bota po hyn në vitin e tretë pandemik. Me kufizime të reja, kundër “armikut” të vjetër. Me restriksione në energji e me rrymë më të shtrenjtë. Kush do të besonte se në shekullin e inteligjencës artificiale do të përballeshim me mungesë vaksinash e me rrymë të pamjaftueshme? Post-industrializmi nuk do të vijë aq shpejt sa pritej. Masat dekarbonizuese do të vonojnë e ngrohja globale do të vazhdojë.

2. Në vitin 2022, gjeopolitika e vaksinave dhe e energjisë do ta dominojnë agjendën globale. Shiringat dhe kilovatët do t’i përcaktojnë prioritetet qeveritare e do të ngarkojnë buxhetet shtetërore. Kina do të mbetet e varur për energji nga Rusia, kurse perëndimi syçelë ndaj “Jaltës së re”. SHBA-ja nuk do të lejojë një bosht lindor të ri të luftës së ftohtë të vjetër. Washingtoni do i kundërvihet globalisht autoritarizmit, me diplomaci të mbështetur me forcë. Pacifiku do të mbetet prioritet i tij, por paqja midis dy Koreve nuk do të arrihet e as Tajvani nuk do të pushtohet nga Kina. Indo-Pacifiku do të mbetet arenë e përplasjeve globale, por Ukraina mund ta rikthejë radarin amerikan në Evropë. NATO do i rikthehet misionit të vet origjinal: mbrojtjen e Evropës nga Moska, sidomos, kur kërcimet ruse po zbresin nga Baltiku në Ballkan. Kjo strategji ruso-kineze për ta lodhur SHBA-në njëkohësisht në dy fronte: në lindjen e largët (përballë Kinës) dhe në Evropë (karshi Rusisë) do të dështojë. Erërat e ftohta veri-lindore nga Siberia e Manxhurija nuk do ta përballojnë stuhinë perëndimore Atlantike.

Lexo më shumë  Zgjidh Kosovën! Zgjidh të vërtetën! Zgjidh Albin Kurtin !

3. BE-ja do ta vazhdojë debatin për të ardhmen e vet, me “busull strategjike”, por pa diplomaci unike. “Kuajt e Trojës”, që i ka brenda, do t’i bllokojnë reagime më të ashpra ndaj sfidave lindore. Vështirë se Brukseli do të imponohet si faktor global, duke mbetur gjigant ekonomik, e xhuxh ushtarak. “Armata evropiane” dhe “Sovraniteti Evropian” nuk ka gjasa të jetësohen nga ideatori i tyre Makron. Në gjysmën e parë të vitit të ri, Franca vërtet do e kryesojë BE-në, por edhe vetë presidenti i saj, në pranverë do të sprovohet në zgjedhjet presidenciale. Nëse nuk rizgjidhet e pas shkuarjes së Merkelit, BE-ja do të mbetet pa lider. Pos, ndoshta teknokratit Italian Dragi? Pa lidership, me veto në vendimmarrje e me përplasjet midis sovranistëve dhe unionistëve, BE-ja do të përballet me krizë kredibiliteti. Edhe në vitin e debatit për të ardhmen e Evropës, mjegulla tradicionale evropiane do të vazhdojë ta mbulojë kontinentin e vjetër.

4. Në vitin që vjen, fjala “zgjerim” do të përdoret gjithnjë e më rrallë e “partneriteti” mund ta zëvendësojë “anëtarësimin“. Politika e zgjerimit e BE-së (për 6 shtetet ballkanike) ka rrezik të rrëshqasë në politikën e “Partneritetit Lindor” (për 6 shtetet e Kaukazit). Këtyre të fundit as që iu ofrua anëtarësimi e atyre të parave po, por u lanë vetëm në “perspektivën evropiane”. Ballkanasit do të vazhdojnë të presin para dyerve të BE-së, sa nga shkaku i burokratëve të atjeshëm, po aq edhe nga riciklimi i elitave të korruptuara shtetërore. Shiu tradicional i Brukselit do të mbulojë rajonin edhe vitin tjetër.

Lexo më shumë  Reth14 milionë euro që evidentohen për vetëm brenda 2 javësh si akte keqpërdorimi (korrupsioni) të kryer nga ana e zyrtarëve të BDI-së

5. Atë që nuk e bëri BE-ja, e bën SHBA-ja, pa të cilët edhe nuk zgjidhet asgjë në Ballkan. “Lista e zezë” e thesarit amerikan do të zgjerohet në vitin që vjen, duke shkaktuar dridhje tektonike anti-korruptive në rajon. Bosët rajonalë u bën kërcënim për interesin nacional amerikan. Korrupsioni strategjik nuk është mito e ryshfet, por rrëshqitje e rrezikshme e rajonit drejt skllavërisë energjetike ruse dhe robërisë kreditore kineze. Emërimi i hetuesit amerikan për korrupsionin ballkanik, paralajmëron stuhi dimërore -përmbysëse ndaj baronëve ballkanik.

6. Sanksionet kundër qeverisjeve autokratike do të zëvendësojnë tolerancën tri dekadash stabilo-kratike. Perëndimi nuk do t’i tolerojë më shtete private, e as liderë të pa-prekshëm ballkanik. Parashikimi meteo-politik thotë se pas fjollave të para të këtij dhjetori, bora do të shpeshtohet në fillim të vitit të ri, drejt një orteku anti-autokratik.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *