Bota

Paralajmërojnë ministrat evropianë: Kurdët dhe gratë duhet të përfshihen në tranzicionin e Sirisë

Të gjitha grupet siriane, duke përfshirë gratë dhe kurdët, duhet të përfshihen në tranzicionin e vendit nëse Damasku dëshiron mbështetjen evropiane, ka deklaruar ministrja e jashtme gjermane pas një takimi të parë të ndjekur nga afër me udhëheqësin e ri de facto Ahmed al-Sharaa.

Në bisedimet ku mori pjesë edhe homologu i saj francez Jean-Noel Barrot, kryediplomatja gjermane Annalena Baerbock tha se ajo kishte theksuar nevojën për të përfshirë të gjitha grupet etnike në tranzicionin drejt demokracisë.

“Ne e diskutuam këtë në një mënyrë shumë të detajuar dhe shumë të qartë”, tha Baerbock pas takimit me Sharaa në Pallatin e Popullit në Damask.

Bëhet e ditur se ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, duke vizituar Damaskun në emër të Bashkimit Evropian, thanë se donin të krijonin një marrëdhënie të re me Sirinë dhe kërkuan një tranzicion paqësor.

Lexo më shumë  Justin Trudeau njofton dorëheqjen si kryeministër i Kanadasë

Baerbock dhe Barrot ishin ministrat e parë evropianë që vizituan Sirinë që kur rebelët morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke e detyruar presidentin Bashar al-Assad të arratisej pas më shumë se 13 vitesh luftë civile dhe duke i dhënë fund sundimit prej dekadash të familjes së tij, shkruan Reuters.

Udhëtimi i tyre synon të dërgojë një mesazh angazhimi të kujdesshëm ndaj rebelëve islamikë të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) i Sharaa-s, duke pranuar statusin e tyre si sundimtarët e rinj të Sirisë, duke kërkuar gjithashtu moderim dhe respekt për të drejtat e pakicave.

“Mesazhi ynë për udhëheqjen e re të Sirisë: respektimi i parimeve të dakorduara me aktorët rajonalë dhe sigurimi i mbrojtjes së të gjithë civilëve dhe pakicave është i një rëndësie të madhe”, shkroi Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, në X.

E pyetur nëse BE mund të fillojë së shpejti heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Sirisë, Baerbock tha se kjo do të varet nga përparimi politik.

Ajo përmendi “disa shenja pozitive”, duke shtuar se ishte shumë herët për të vepruar.

“Javët e fundit kanë treguar se sa shumë shpresë ka këtu në Siri se e ardhmja do të jetë e lirisë. E lirë për të gjithë, pavarësisht nga origjina e tyre etnike, gjinia apo feja. Por nuk është e sigurt se do të ndodhë kjo”, tha Baerbock.

Ndryshe, që nga rrëzimi i Assadit, sundimtarët e rinj të Sirisë janë përpjekur të sigurojnë komunitetin ndërkombëtar se ata do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve.

Por, mbeten një mori pyetjesh për të ardhmen e një vendi multietnik ku shtetet e huaja, përfshirë Turqinë dhe Rusinë, kanë interesa të forta dhe potencialisht konkurruese.

YouTube player