Paralajmërimet e Kurtit për sulme në veri u bazuan në informatat e AKI-së, Kuçi shpjegon faktorët që mund të çojnë në eskalim
Sulme të reja janë paralajmëruar në veri të vendit, konkretisht para dhe pas Vitit të Ri. Kështu bëri të ditur, kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media të martën.
Lidhur me këto paralajmërime, Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, tha për Telegrafin se këto paralajmërime nga kryeministri kanë ardhur si rezultat i informatave nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
“Sipas informatave të ndara nga Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), janë dhënë paralajmërime specifike lidhur me sulmet e mundshme në veri të vendit, të cilat mund të ndodhin para ose pas fillimit të vitit të ri. Ky paralajmërim është përcjellë më tej nga Kryeministri Kurti, me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit në nivelin institucional, kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha Kuçi.
Ai shtoi se indikacionet që sugjerojnë përshkallëzim të mundshëm të situatës bazohen në faktorët e mëposhtëm: Protestat masive kundër Presidentit Vuçiq në Serbi, që krijojnë një presion të brendshëm politik, duke e shtyrë atë të kërkojë një shpërqendrim të vëmendjes përmes krijimit të një narrative nacionaliste.
“Kjo mund të përfshijë veprime kundër Kosovës, që do t’i shërbenin për ta paraqitur veten si patriot dhe për të portretizuar protestuesit si kërcënim ndaj Serbisë”, ka thënë Kuçi.
Kuçi ka përmendur si faktorë tjetër edhe ndryshimin e administratës në SHBA. Sipas tij kalimi i pushtetit në SHBA mund të krijojë perceptimin në Serbi se SHBA-ja është e shpërqendruar dhe se do të ketë një reagim të kufizuar ndaj provokimeve serbe.
“Gjithashtu, një administratë e re në SHBA mund të shihet si një moment i favorshëm për krijimin e një situate të re në terren në Kosovë. Metoda e Millosheviçit me 1992 kundër Kosovës”, tha ai.
Hulumtuesi i “OCTOPUS” faktor tjetër të mundshëm për nxitje të sulmeve të reja në veri, përmendi edhe fokusin ndërkombëtar në krizat globale, konkretisht luftën në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.
“Lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme e zhvendosin vëmendjen ndërkombëtare në këto zona strategjike, duke i krijuar Serbisë një hapësirë më të madhe veprimi. Kjo mund të përfshijë tolerancë të heshtur ndaj veprimeve të saj, për të shmangur eskalime të mëtejshme”, ka Kuçi për Telegrafin.
Faktorët e tjerë sipas tij janë edhe sezoni i festave dhe zgjedhjet në Kosovë.
Kuçi u shpreh se periudha e fundvitit dhe fillimit të vitit, kur shumë institucione dhe aktorë politikë janë në pushime, mund të shfrytëzohet nga Serbia për veprime që synojnë destabilizimin, duke përfituar nga një vëmendje e zvogëluar e publikut dhe institucioneve ndërkombëtare.
“Kjo i mundëson Serbisë që të rrisë nacionalizimin tek Serbët në Kosovë dhe në të njëjtën kohë edhe frikën për shkak të sulmeve dhe rritjes së forcave të sigurisë pastaj nga ana e Kosovës dhe në këtë mënyrë i mban më të kontrolluar dhe favorizon Listën Serbe”, theksoi ai.
I pyetur se çfarë duhet të ndërmerret nga institucionet e sigurisë pas këtyre paralajmërimeve, Kuçi theksoi se institucionet e sigurisë duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar dhe përballuar çdo kërcënim potencial.
Ai përmendi katër masa që sipas tij do të ndihmonin në parandalimin e çfarëdo skenari të mundshëm në veri të vendit.
“1. Përforcimi i pranisë policore dhe forcave të sigurisë në zonat e cenueshme, sidomos në veri të vendit. 2. Një koordinim i ngushtë ndërmjet AKI-së, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale. 3. Informimi i partnerëve ndërkombëtarë për situatën dhe kërkimi i mbështetjes së tyre për të adresuar çdo përshkallëzim të mundshëm dhe 4. Ofrimi i informacioneve të sakta dhe të qëndrueshme për qytetarët, për të shmangur panikun dhe për të rritur vigjilencën qytetare”, tha Kuçi.
Kuçi theksoi se në këto kushte, është jetike që institucionet të veprojnë me qetësi, por edhe me vendosmëri, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në vend.
“Ndërsa gjithë qytetarët dhe pjesëtarët e jetës publike të ruajnë interesin e shtetit dhe unitetit përballë kërcënimeve të jashtme”, tha ai.
Kujtojmë se sulmi i fundit ndodhi më 29 nëntor në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Për autoritetet e Kosovës, sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Rruga Press