Bota

Papa Françesku paralajmëron mbi rrezikun e ‘infodemisë’

Papa Françesku denoncoi të premten lajmet e rreme të lidhura me COVID-19-n dhe vaksinat, duke kritikuar atë që e quajti shtrembërim i realitetit bazuar në frikë. Ai bëri thirrje gjithashtu që ata që besojnë gënjeshtra të tilla, të ndihmohen për të kuptuar faktet e vërteta shkencore. Papa Françesku u takua me gazetarë katolikë të cilët kanë krijuar një rrjet që synon kontrollin e fakteve, në një përpjekje për të luftuar dezinformimin rreth pandemisë. Papa ka bërë shpesh thirrje për një gazetari të përgjegjshme, në kërkim të së vërtetës, e në respekt të individët, dhe takimi i tij me konsorciumin mediatik katolik, e përcolli më tej këtë mesazh.

“Është e pamundur të mos vësh re se këto kohë krahas pandemisë, po përhapet një ‘infodemi’, shtrembërim i realitetit i bazuar tek frika, i cili në shoqërinë tonë globale çon në një shpërthim komentesh mbi lajme të falsifikuara, apo të sajuara”, tha Papa Françesku.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Ai tha se qasja tek informacioni i saktë, bazuar në të dhëna shkencore, është një e drejtë që gëzon çdo njeri, e që duhet të garantohet veçanërisht për ata që kanë më pak mundësi për të kuptuar mes rrëmujës së dezinformatave dhe komenteve të maskuara si fakte, të cilat janë të disponueshme në internet. Në të njëjtën kohë, Papa Françesku kërkoi një qasje të mëshirshme e misionare ndaj atyre që bien pre e shtrembërimeve të tilla, në mënyrë që ata të ndihmohen të kuptojnë të vërtetën, sikurse tha ai.

“Lajmet e rreme duhet të përgënjeshtrohen, por çdo person duhet të respektohen gjithmonë, sepse ai beson shpesh pa vetëdije”, tha ai.

“Realiteti është gjithmonë më kompleks se sa mendojmë dhe ne duhet të respektojmë dyshimet, shqetësimet dhe pyetjet që ngrenë njerëzit, pa i nënvleftësuar kurrë”, shtoi Papa.

Disa përfaqësues të kishës katolike, përfshirë disa peshkopë dhe kardinalë konservatorë të Shteteve të Bashkuara, thonë se vaksinat e bazuara në kërkime që përdorin qeliza të marra nga fetuset e abortuara, ishin të pamoralshme dhe kanë refuzuar të vaksinohen. Por Zyra e Doktrinës në Vatikan, ka thënë se është moralisht e pranueshme për katolikët që të marrin vaksina kundër COVID-19, përfshirë dhe ato të bazuara në kërkime që përdorën qeliza të marra nga fetuset e abortuara. Papa Françesku dhe Benedikti XVI janë imunizuar plotësisht me vaksina të Pfizer-BioNTech-ut.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Papa Françesku ka qenë një nga udhëheqësit fetarë më të zëshëm që ka folur në favor të vaksinave dhe respektimit të masave për të luftuar pandeminë. Ai ka lënë të kuptohet se njerëzit kanë një detyrim moral për të siguruar kujdesin shëndetësor për veten dhe të tjerët. Kohët e fundit Vatikani i kërkoi gjithë anëtarëve të personelit që të vaksinohej ose të paraqisnin prova se e kishin kaluar COVID-19, si kusht për shkuar në punë. /VOA

Rruga Press

YouTube player