BallinaLajme

Pandemia i plaku dhe i largoi më shumë shqiptarët

Raporti vjetor i Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, mbi situatën në të cilën ndodhen të rinjtë në vend, sjell fakte dhe shifra shqetësuese përsa i përket të ardhmes së tyre. 

Gjatë 10 viteve të fundit janë larguar nga Shqipëria mbi 140,000 të rinj e të reja.

Sipas këtij raporti të tretë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020” në 10 vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 140.390 të rinj dhe të reja. Mbi 51% e rinisë në vend vuan papunësinë, ndërkohë që gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, 63% e të rinjve nuk kishin aspak besim te masat e qeverisë për përballimin e vështirësive të shumta edhe ato financiare.

Përfaqësuesit e ANYN, nënvizuan se besimi i të rinjve ndaj partive politike ka pësuar një rënie shumë të madhe, ndërsa vetë të rinjtë po e quajnë sistemin politik në vend, si një prej shkaqeve kryesore të emigrimit.

Raporti I tretë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020” sjell të dhëna shqetësuese edhe për papunësinë, ikjes së rinisë,krizës së besimit, kushteve të varfëra ekonomike dhe rritjes së dhunës përgjatë pandemisë.

Rreth 49% e të rinjve deklarojnë se ata ose një familjar i tyre, humbën vendin e punës gjatë pandemisë. 88% e të rinjve deklarojnë se vajzat dhe gratë ishin viktimat kryesore të dhunës, gjatë pandemisë ndërsa 63 % e të rinjve konfirmojnë dhunën e shtuar në familje gjatë po të njëjtës periudhë.  

Të diplomuarit, vuajnë papunësinë më të madhe në Shqipëri, ku respektivisht sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2019, rreth 14,4 % e të rinjve me arsim të mesëm dhe 12,3 % me arsim të lartë vujanë papunësinë.

Lindshmëria, më e  ulëta në Europë

Sipas një analize të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë ku analizohen politikat gjinore në Shqipëri, në vendin tonë lindshmëria ka rënë dukshëm nën pikën e zëvendësimit 1.37 fëmijë për grua (2018), që është më e ulët se ajo në vendet europiane (1.55 fëmijë për grua në 2018).

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

“Analiza e Politikave të përgjegjshme Gjinore në Shqipëri” nga UNFPA e prezantuar këtë javë rë në bashkëpunim me nënkomisionin parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, jep një pamje të kuadrit ligjor dhe kontekstin social dhe ekonomik të këtyre politikave në Shqipëri.

 “Kuadri ligjor në Shqipëri ekziston dhe parashikon disa klauzola të mira që mbështesin lejen prindërore, përfshirë lejen e lindjes për nënën dhe babain, lejen e përkujdesjes ndaj fëmijës, shpërblimin për lindjen e fëmijës, njohjen e kohës për përkujdesje dhe kushte pune fleksibël”, theksohet mes të tjerash në analizë.

Megjithatë, sipas aktorëve që janë marrë me analizën, duhen hartuar dhe rënë dakord për më shumë parashikime ligjore në lidhje me përfitimet financiare, përkujdesjen për fëmijët dhe aksesin në kujdesin ndaj fëmijëve, “të cilat do të ndihmonin shumë prindërit që të punojnë dhe të përpiqen midis krijimit të një jete më të mirë për familjen dhe pasjes së një numri më të madh fëmijësh në një familje”.

“Këto rregullime ligjore dhe mbështetëse do të ndikonin shumë në rritjen e lindshmërisë në nivelin e dëshiruar dhe atë ideal, ndërkohë që ky nivel po bie shumë nën pikën e zëvendësimit 1.37 fëmijë për grua, që është më e ulët se ajo në vendet europiane (1.55 fëmijë për grua).”

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lindjeve në vend nëse gjatë vitit 2018 është 28.934 mijë, , në 2019, ky numër ka qenë 28.561.

Indeksi i lindshmërisë sipas të dhënave të fundit është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 dhe 25-29, ndërsa për grup-moshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë. Në vitin 2018, mosha mesatare në lindje ishte 28,6 vjeç.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për vitin 2018, tregojnë dhe mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të paturit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht 5 vite më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave, i kanë më të larta se gratë.

“Koeficienti bruto i riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten e tyre gjatë viteve të jetës riprodhuese. Mënyra e llogaritjes së KBR-së është e njëjtë me atë të ISF-së, por në këtë rast merren parasysh vetëm lindjet femra. Në vitin 2018, KBR është 0,66: do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 30 % larg zëvendësimit të vetvetes.

Shpërndarja e shërbimeve të kujdesit , ndikim edhe pandemia

Në analizën e UNFPA theksohet se angazhimi si prind është i ndryshëm për gratë dhe ndryshe për burrat, në lidhje me punën e paguar dhe atë të papaguar.

Gratë shpenzojnë shtatë herë më shumë kohë se burrat në punë të papaguar në shtëpi, duke bërë punët e shtëpisë dhe duke u kujdesur për fëmijët.

“Shpërndarja e pabarabartë e shërbimeve të kujdesit (51 përqind përkundrejt 25 përqind) dhe punëve të shtëpisë (88 përqind përkundrejt 16 përqind) midis grave dhe burrave i mban gratë jashtë tregut të punës dhe kufizon mundësitë e tyre për karrierë.”

32 përqind e grave të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në shkollë, as në punë, për shkak të përgjegjësive familjare.

Në analizë theksohet edhe fakti se pandemia COVID 19 nuk i ka bërë gjërat më të lehta, por, përkundrazi, puna nga shtëpia e ka rritur barrën e grave me shtimin e përgjegjësive për përkujdesje dhe punë shtëpie./si/

Rruga Press

YouTube player