PAMJET/ Protestë në Spaç: Edhe gurët këtu flasin, të mos preket historia! Ish-të dënuarit rrëfejnë ferrin: Flinim në -22 gradë në qeli
Ish të dënuar politikë të regjimit komunist dhe aktivistë protestuan sot te ish-burgu i Spaçit në Mirditë.
Shkak është bërë restaurimi që po bëhet në këtë vend të shpallur “Monument Kujtese” për xhirimin e një filmi dhe një projekt Ministrisë së Kulturës synon ta kthejë atë në gjendjen e vitit 1973. Por ish të përndjekurit pretendojnë se aty po fshihet historia.
Një nga bashkëvuajtësit e këtij burgu famëkeq, analisti Fatos Lubonja tha se në Spaç po cenohet kujtesa. “Këtu ka shumë gjëra që nuk flasin por t’i i kërkon. Edhe ky guri atje flet më shumë se një gur i ri”, tha Lubonja.
“Dy baraka të gjata, njëra ka qenë menca e cila është zhdukur fare dhe kuzhina që ishte këtu. Ajo që shihni me tarracë që duan ta restaurojnë që ta bëjnë ashtu siç ka qenë, në ’73 ajo nuk ka qenë ashtu”, vijon ai.

Rrëfimet e ish-të burgosurve politikë në Spaç të Mirditës.
Temperaturat në qelitë e dënuarve arrinte deri në -22 gradë celcius, thotë një prej ish të përndjekurve i cili ka kaluar 8 vjet në qelitë e Spaçit.
“Trajtimi ka qenë çnjerëzor. Si rezultat i ushqimit të dobët me margarinë dhe trajtimit çnjerëzor, arriti të bëhej edhe revolta. Nuk ishte e organizuar. Ne jepnin margarinë. Revolta nuk ka qenë e organizuar. Pas revoltës këtu ka qenë tmerri vetë. Bënim punë skllavëruese dhe nëse nuk ke bërë normën përfundojë në dhomën e izolimit me temperaturë edhe -22 gradë. Birucat kanë qenë 1 pëllëmbë mbi tokën dhe dritarja 20 me 20 e hapur, hynte edhe bora brenda. Bora nuk zgjaste shumë se toka e konsumonte, kurse akulli rrinte 6 muaj. Na rrihnin para dhe pas buke me shkop gome, kazma, grushte e shkelma. Ka patur raste që kanë qëndruar mbi 20 ditë në infermieri dhe në spitalin e Tiranës. Flinim 54 veta në një dhomë me dyshekë kashte. Si batanije kishim mbeturinat e Luftës së Dytë Botërore që kishte lënë Italia. Ne kemi qenë në punë skllavëruese dhe për t’u eliminuar vetëvetiu nga puna, ushqimi i pamjaftueshëm siç janë eliminuar shumë njerëz”, tregon ish i dënuari.
Një tjetër ish i dënuar shprehet se ka bërë 7 vjet burg dhe punë të rëndë për agjitacion dhe propagandë, pasi vishte këpucë dhe mbante syze të cilat regjimi komunist i konsideronte shfaqje e huaj.
“Jam dënuar për agjitacion dhe propagandë. Ke vënë syze dielli dhe e quanin sjellje të huaj, ke veshur këpucë dhe opinga si shfaqje e huaj. Jam dënuar 8 vjet, bëra 7 pa pak se më kapi falja e ’82. Kam punuar 7 vjet në këtë vend krimi që është i larë pëllëmbë me gjak. Kanë qenë 1500 vetë, 1200 kanë qenë të komandës. Këtu ka qenë shkatërrimi fizik dhe moral.
Na fusnin në punë dhe na mbysnin për të bërë normal. Disa e ndanin bukën tek të privilegjuarit për të na spiunuar dhe me dalë dëshmitarë para se me i liruar, njerëzve të burgosur. Këtyre ne u rrinim larg. Fatos Lubonja hyri me 7 vjet, bëri 12. Sherif Merdani i ndjerë hyri me 8, i futën 13 vjet burg. Brezi i ri nuk di asgjë se çfarë ka qenë komunizmi në Shqipëri. Spartak Ngjela hyri me 6, bëri 13″.
Rrëfim interesant është edhe ai i një prej kujdestarëve të Spaçit.

“Këtu ka qenë elita e popullit shqiptar, i vendosi këtu regjimi për të shfrytëzuar njerëzit. Ishin armiq të popullit. Unë kam bërë 2 vite shkollë këtu afër burgut, na thonin mos i shikoni ata andej, janë armiq të popullit, pra propagandë. Jashtë nuk dëgjohej asgjë. Edhe varrimet bëheshin natën. Ne kishim shkollën këtej lumit dhe matanë ishin varrezat, por ne nuk e dinim. Gjatë viteve, duke bërë përkujdesje këtu, kanë ardhur shumë bashkëvuajtës dhe sipas historive të tyre jemi munduar të krijojmë një histori për burgun e Spaçit”, shprehet mirëmbajtësi i godinave të ish-burgut famëkeq.
Rruga Press

