Pala e Kosovës përfundon takimin me Lajçakun
Të martën në Bruksel po zhvillohen takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
Burimet e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar takimet duke i përshkruar si “takime në kuadër të dialogut”, sepse nga përvoja e së kaluarës është parë se palët shpesh nuk janë takuar fare, por vetëm kanë pasur takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.
Takimin e parë me Lajçakun e ka pasur Besnik Bislimi, zëvëndëskryeministër i Kosovës.
Menjëherë pas tij, Lajçak ka nisur takimet me delegacionin e Serbisë, të udhëhequr nga Petar Petkoviq.
Në orët e pasdites pritet të zhvillohet takimi i përbashkët me ndërmjetësim të Lajçakut.
Sipas burimeve të BE-së, takimet e së martës do të shërbejnë për të vazhduar diskutimet e lidhura me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011.
Sipas burimeve diplomatike pritet që temat për të cilat do të diskutohet do të jenë çështja e të pagjeturve, ajo e targave të veturave dhe çështja e energjisë.
Pala serbe, sipas asaj që ka thënë Petkoviq në një intervistë për televizionin shtetëror të Serbisë, pritet të kërkojë që të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.
Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill.
Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë.
Rruga Press