Paketa e re fiskale, Dhoma Italiane e Tregtisë: E dëmshme për biznesin dhe qytetarët
Dhoma Italiane e Tregtisë e konsideron të dëmshme paketën e re fiskale, si e papritur dhe e pakonsultuar me biznesin. Presidenti i saj, Antonio Nidoli, thotë se ajo mund të sjellë pasoja negative për ekonominë e vendit dhe qytetarët shqiptarë.
“Paketa fiskale duhet t’u vinte në ndihmë sipërmarrjeve dhe familjeve. Ndërkohë, nga ajo që kemi lexuar, do të rrisë taksat për biznesin, që rrjedhimisht do të sjellë më shumë kosto e njëherazi çmime më të larta për familjet. Ndaj, edhe unë them që paketa e re fiskale nuk ndihmon as sipërmarrjen e as familjet”, deklaroi Nidoli.
Sipas Presidentit të Dhomës Italiane të Tregtisë, ndryshimet e shpeshta fiskale dhe moskonsultimi me grupet e interesit, dëmton klimën e biznesit dhe sjell largim të investimeve të huaja nga Shqipëria: “Kjo do të sjellë një ndryshim në strategjinë e investimeve të ardhshme të shumë sipërmarrjeve. Paketa fiskale tregon qartë rritjen e taksave dhe tatimeve dhe nga ana tjetër dhënien e subvencioneve. Ajo që mbetet e paqartë mbetet se si dhe sa subvencione do të jepen. Atëherë, si i bëhet që një sipërmarrës të programojë investimin e tij në një vend ku e sigurt është rritja e taksave, por jo mënyra se si biznesi do ndihmohet”.
Reagim të ngjashëm ndau më herët edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila i bëri thirrje qeverisë të tërheqë paketën fiskale, pa e miratuar në Kuvend me buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.
Rruga Press