Osmani: ”Wagneri” po ndihmon Serbinë për ndonjë sulm të mundshëm ndaj shtetit tonë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në një intervistë për “The Telegraph” të shtunën se mercenarët nga grupi “Wagner” i Rusisë po punon me paraushtarakët serbë për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake në Kosovë.
Osmani ka thënë se operacioni sekret është krijuar për të hedhur bazat për një sulm të mundshëm hibrid nga Serbia për të rrëmbyer territorin e Kosovës.
Përgatitjet e supozuara nga Serbia kanë paralele me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, kur ushtarët rusë të veshur me uniforma të zhveshur nga çdo shenjë, të quajtur “burrat e vegjël të gjelbër”, përgatitën rrugën për shkëputjen e gadishullit nga Moska, shkruan The Telegraph.
“Ata sjellin armë dhe uniforma por nuk janë formalisht pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj pa u quajtur operacion ushtarak”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Sipas saj, objektivi serb është të “përgatisë situata për një aneksim të mundshëm – jo përmes një operacioni ushtarak tradicional, por përmes një lloj sulmi hibrid”.
Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një nga linjat e çarjeve më të zjarrta në Ballkan, është përfshirë nga tensionet për muaj të tërë, të shkaktuara fillimisht nga një mosmarrëveshje për targat e veturave, shkruan The Telegraph.
Serbët etnikë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë së veriut të Kosovës, ishin të zemëruar që u urdhëruan të heqin licencat dhe targat e tyre të lëshuara nga Serbia dhe të miratojnë ato të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Blloqe rrugore dhe barrikada u ngritën nga serbët etnikë në rrugët anembanë veriut.
Kriza u bë aq e keqe në dhjetor, sa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kërcënoi se do të dërgonte trupa serbe në veri të Kosovës.
Presidentja Osmani pohoi se Beogradi po vazhdon të ngjallë tensionet në rajon, në bashkëpunim me “Wagner Group” të Rusisë, i cili kohët e fundit filloi fushatën për rekrutët serbë për luftën në Ukrainë.
Strategjia e fshehtë për të kontrabanduar armët për një aneksim të dyshuar është duke u zhvilluar për të paktën gjashtë muaj, sipas Osmanit.
“Synimi është pikërisht i njëjtë me atë të përdorur nga Vladimir Putini në Krime nëntë vjet më parë, parë. Nëse shikoni se çfarë bëri Putini në 2014, është i njëjti libër lojërash. Fillimisht ai instrumentalizoi rusët që jetonin atje, më pas krijonte lloj-lloj operacionesh me flamur të rremë dhe më pas dërgoi në këto grupe paraushtarake. Ka prova të qarta se grupet paramilitare serbe e kanë planifikuar dhe organizuar këtë (me Wagner). Sa ishin në kufi apo brenda (territorit të Kosovës), kjo është një çështje që ende po hetohet”, është shprehur Osmani.
Disa ditë më parë, fjala “Wagner” u spërkat në muret e një shkolle në pjesën veriore, etnikisht serbe të qytetit. Policia e Kosovës e denoncoi si “nxitje të urrejtjes dhe ndarjes ndëretnike”.
“Interesi rus është të përdorë Ballkanin Perëndimor, përmes Serbisë si kalë troje, për të sulmuar sistemet e bazuara në vlera si NATO-ja dhe BE-ja. Sa më shumë tensione sigurie krijojnë, aq më pak janë shanset tona për t’u anëtarësuar në BE. Ndonjëherë e bëjnë në Mal të Zi, herë në Bosnje-Hercegovinë, herë në Kosovë dhe kanë krijuar probleme edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka shtuar Osmani.
Ajo akuzoi Serbinë se i sheh Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën si “vende të përkohshme” të cilat Beogradi dëshiron t’i ripërthithë.
Rruga Press