Osmani ua prezanton Costas dhe Matsolas dëshmitë për lidhjet e qarta të Serbisë me sulmet në veri
Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, dhe atë të Parlamentit Evropian, Roberta Metsolla. Ajo ka bërë të ditur se atyre ua ka prezantuar dëshmitë e mbledhura nga institucionet e Kosovës për lidhjet e qarta të Serbisë me sulmet e fundit në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në takimet që ka pasur sot në Bruksel ua ka paraqitur mikpritësve të saj dëshmitë për përfshirjen e Serbisë në sulmet e fundit terroriste në Kosovë, por edhe ka kërkuar bashkëpunim në parandalimin e sulmeve të reja që mund të ndodhin.
Ajo sot ka pasur takime me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Pas këtyre takimeve, Osmani ka thënë se ka biseduar për procesin e integrimeve të Kosovës në Bashkimin Evropian, me ç’rast e ka kërkuar shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim, i cili është dorëzuar para dy vjetësh, por ende nuk është shqyrtuar.
Po ashtu, Osmani ka thënë se ka kërkuar edhe heqjen e masave të padrejta që Bashkimi Evropian po i mban ndaj Kosovës. Sa u përket sulmeve terroriste, Osmani ka thënë se këto detyrimisht kanë qenë tema të diskutimeve, edhe pse kur ishte planifikuar vizita e saj në Bruksel ideja ishte që të bisedohej për përgatitjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Osmani tha se fokusi tash duhet të jetë në parandalimin e sulmeve të reja, ndërsa theksoi se ka dëshmi të mjaftueshme për përzierjen e Serbisë në këto sulme.
Vizita e zonjës Osmani do të vazhdojë edhe nesër, ku ajo pritet të ketë takime edhe në selinë e NATO-s.
Rruga Press