Osmani thirrje Evropës për liberalizim të vizave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Më 9 maj, kur shënohet edhe Dita e Evropës, Osmani ka thënë se si shteti më pro-evropian në botë, qëndron krah aleatëve në kohët sfiduese nëpër të cilat po kalohet.
“Si shteti më pro-evropian në botë, sot Kosova shënon Ditën e Evropës në mbarë vendin tonë. Ne qëndrojmë të bashkuar me aleatët tanë në këtë kohë sfiduese. Por ne gjithashtu bëjmë thirrje për t’i dhënë fund 4 vjetëve të mohimit të padrejtë dhe të papranueshëm të liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shkruar Osmani në një postim në Twitter.
Ajo ka shtuar se gjatë këtyre kohëve, Kosova mendon edhe për ukrainasit që po përballen me pushtimin rus.
“Për popullin e Kosovës, vlerat evropiane janë më shumë se fjalë, është një mënyrë jetese. Në këtë ditë ne mendojmë gjithashtu për njerëzit e Ukrainës të cilët vazhdojnë të përballen me ferrin përballë agresionit të paprovokuar rus. Kosova qëndron fort në anën e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”, ka shkruar ajo.
Rruga Press