Osmani takon presidentin e shtetit që Serbia pretendon se e ka çnjohur Kosovën
Presidentja Vjosa Osmani ka takuar të premten presidentin e Republikës së Sierra Leones. E për këtë shtet Serbia ka pretenduar se e ka çnjohur Republikën e Kosovës.
Në një njoftim të Presidencës për takimin e Osmanit me Julius Maada Bion bëhet e ditur se dy presidentët kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.
Osmani e Maada Bio u takuan në margjina të “Forumit Diplomatik të Antalias”. Osmani ka thënë se kanë shkëmbyer ftesa për vizita në shtetet respektive, teksa raportet shtetërore i ka cilësuar miqësore.
“Në Antalya, pata kënaqësinë të takohem me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio. Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Gjithashtu, diskutuam edhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Shkëmbyem po ashtu ftesat për vizita respektive në vendet tona, për t`i forcuar më tej lidhjet tona miqësore dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Sierra Leone është vetëm një 28 prej shteteve që sipas Serbisë kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Pretendimi se ky shtet afrikan ka tërhequr njohjen ishte bërë më 3 mars 2020 nga ministri i Jashtëm i asaj kohe i Serbisë, Ivica Daçiq. Ishte organizuar edhe një ceremoni.
E në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Republika e Sierra Leones është në mesin e 117 shteteve që e njohin Kosovën si shtet. Ditë më parë Kosovën e njohu edhe Kenia duke u bërë shteti i 118-të, por që ende nuk figuron në listë.
Njohja nga Sierra Leone ishte zyrtarizuar më 11 qershor 2008.
Rruga Press