Osmani takoi ambasadorin turk, i kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike si dhe thellimin e mëtejmë të raporteve bilaterale me Turqinë.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani e ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy shteteve, duke potencuar se Turqia mbetet partnere strategjike dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës.
“Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes turke ndaj Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, njohje të mëtejmë dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes” – thuhet në njoftimin e Presidencës, më 20.01.2025.
Në fund të njoftimit, Presidenca thotë se Osmani dhe ambasadori Tunç Angılı u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e interesave të përbashkëta mes Kosovës e Turqisë, duke përforcuar lidhjet miqësore dhe bashkëpunimin afatgjatë.
Osmani e kishte takuar ambasadorin turk edhe më 21.08.2024, kur i kishte shprehur mirënjohjen Turqisë për donacionin me vlerë 31 milionë lira (rreth 1 milion dollar), për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).