Lajme

Osmani: Serbia e përkushtuar ta kthejë rajonin prapa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia nuk lë rrugë pa i bërë të qarta qëllimet që ta kthejë rajonin prapa në vitet e ’90-ta. Ajo ka deklaruar se Serbia dhe aleatët duan të zhbëjnë gjithçka që ka arritur Kosova. 

“Fatkeqësisht forcat e errëta janë ende shumë aktive sot, me çdo ditë që kalon Serbia nuk lë rrugë për të na e kujtuar neve për qëllimet e vërteta. Serbia satelite e Rusisë në rajonin tonë është e përkushtuar që ta kthejë rajonin tonë prapa në të ’90-at. Serbia dhe aleatët e saj duan që të zhbëjnë çdo gjë që kemi arritur së bashku ndër vite”, ka thënë Osmani në fjalimin e saj në konferencën e organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. 

Osmani po ashtu ka deklaruar se çfarëdo sulmi i Serbisë s’është sulm vetëm ndaj Kosovës si fqinje, por edhe ndaj NATO-s, Shteteve të Bashkuara e sukseseve të përbashkëta të Kosovës me partnerët. 

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

“Sikurse më 1999 ne duhet të mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të refuzuar dhe për t’u thënë jo qëllimeve të tilla. Ne kemi rezistuar atëherë, ne refuzojmë sot. Kosova ka arritur larg dhe ka humbur shumë jetë të pafajshme që të kthehet mbrapa. Ne do të punojmë bashkë me aleatët tanë që të kundërshtojmë vështirësitë e të tashmes dhe të ndërtojmë një të ardhme të sigurt dhe prosperuese e të sigurojmë që idealet e lirisë dhe demokracisë që kanë udhëzuar rrugën tonë, të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën tonë përpara. Së bashku kemi demostruar se bashkimi mund të tejkalojnë vështirësitë më të mëdha”, ka thënë tutje Osmani. 

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në Ballkan në kohën e sulmit të Rusisë në Ukrainë, stabiliteti e siguria janë kyçe. Ai ka përsëritur se shtegu i Kosovës për integrim euroatlantik është nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe “zbatimi i plotë i të gjitha zotimeve që Kosova ka marrë në dialog”. 

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

“Ne presim që kjo Qeveri, sikur që kemi pritur nga të kaluarat, që të punojë me ne në partneritet ashtu që të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon stabil, prosperues, multi-etnik e të sigurt të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai. 

Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s, në një video-mesazh ka thënë se për NATO-n ka qenë thirrje e vështirë që të intervenojë, por ka përsëritur se është krenar për ndërhyrjen dhe çdo gjë që ka arritur Kosova. Clarku ka thënë se shpreson që të shohë më shumë partneritet mes SHBA-së dhe Kosovës.

Rruga Press

YouTube player