Osmani publikon letrën që ia ka dërguar Trumpi: Kosova ka demonstruar përkushtim të fuqishëm për bashkëpunim me ShBA-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar letrën të cilën ia dërgoi Presidenti amerikan, Donald Trump më 04.08.2025.
Osmani ka falënderuar Presidentin Trump për përkrahjen dhe fjalët të cilat ajo i cilësoi të fuqishme për partneritetin me Kosovën.
“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me SHBA-të, në çdo sfidë e çdo sukses” – ka shkruar Osmani.
Tutje, Presidentja e vendit ka shkruar se ajo mbetet e përkushtruar që të punojë së bashku me Presidentin Trump për të thelluar aleancën në vitet që vijojnë.
Në letrën e Presidentit amerikan thuhet se Trumpi falënderon Osmanin për ndihmën e jashtëzakonshme për pranimin e qytetarëve që nuk janë shtetas të Kosovës.
“Lëvizje që demonstron përkushtimin e fuqishëm të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lidershipi juaj në këtë çështje, është testament i forcës dhe dhembshurisë së popullit kosovar” – thuhet në letrën që Trump i ka dërguar Osmanit.
Kosova dhe ShBA-ja kanë respekt të ndërsjelltë, vlera të përbashkëta demokratike dhe vizion për të ardhme paqësore dhe të begatë, thuhet nga Trumpi.
Më pas, në letër thuhet se dedikimi i Osmanit për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve, nuk ka kaluar pa u vënë re.
“Besoj se së bashku do të vazhdojmë në avancimin e qëllimeve të përbashkëta” – thotë Trumpi në letrën e tij.
Tutje, Presidenti amerikan falënderon Osmanin për lidership të guximshëm dhe qëndrimin si mik i Shteteve të Bashkuara, teksa shton se mezi pret bashkëpunimin në vitet në vijim.
Trumpi i ka dërguar të fala Osmanit edhe nga bashkëshortja e tij, zonja e parë e ShBA-së, Melania Trump.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike më 11.06.2025. Në mbledhje u miratua ofrimi i mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për 50 persona në kuadër të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Personat subjekt të këtij Vendimi gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.” – thuhet mes të tjerash në njoftimin e ZKM-së.
Rruga Press

