Osmani përshëndet sanksionet e SHBA-së ndaj grupit të Veselinoviçit për krimet në veri
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviçit për krim të organizuar në veri të Kosovës. Vendimi është përshëndetur nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila shprehet se institucionet e vendit janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me Amerikën.
“I mirëpres sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij të krimit të organizuar në veri të Kosovës. Institucionet janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, shprehet Osmani në Twitter.
Përveç Zvonko Veselinoviçit në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.
Grupi akuzohet mes të tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta. Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.