Osmani përfundon mandatin e Presidentes, ia dorëzon detyrën sot kryeparlamentares Haxhiu
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot, më 4 prill 2026 përfundon mandatin.
Në mungesë të zgjedhjes së presidentit të ri, Osmani detyrën ia dorëzon sot Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes në orën 16:00.
“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzon detyrën Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me çështjen e presidentit janë karakterizuar nga një ngërç i thellë politik. Kuvendi në seancën e caktuar për presidentin nuk arriti ta zgjedh në mungesë të kuorumit, ndërkaq seanca është ndërprerë.
Situata u përshkallëzua më tej pasi Osmani shpërndau Kuvendin dhe paralajmëroi zgjedhje të jashtëzakonshme, vendim që u kontestua dhe u dërgua në Gjykatën Kushtetuese.
E vendimi i Kushtetueses tha se dekreti i Osmanit për shpërndarje të legjislativit s’ka efekt juridik, ndërkaq i ka dhënë kohë Kuvendit 34 ditë për zgjedhjen e presidentit.
Osmani në krye të shtetit ishte zgjedhur në seancën e 4 prillit 2021, me 71 vota “për”.
U zgjodh në raundin e tretë të votimit ku votuan 82 deputetë, pasi në raundin e parë dhe të dytë nuk mori votat e nevojshme.
71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmani-Sadriu, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet.
Para raundit të tretë u zhvillua edhe procedura e dy raundeve.
Në raundin e parë, votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 69 deputetë, 12 vota u shpallën të pavlefshme, ndërsa kundërkandidati i Osmanit, Nasuf Bejta nuk mori asnjë votë.
Në bazë të këtij rezultati u konstatua se asnjëri nga kandidatët nuk i kishte votat e nevojshme për t’u zgjedhur president, aq sa duhen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në raundin e dytë votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 67 deputetë, 11 vota të pavlefshme, ndërsa kandidati Nasuf Bejta mori 4 vota. As në raundin e dytë, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota për t’u zgjedhur president.
Pas votave të nevojshme në raundin e tretë, Vjosa Osmani-Sadriu bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
`Rruga Press

