Osmani për deklaratën e Macronit: Kemi biseduar në Granada, besoj në mirëkuptim për tejkalimin e sfidave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, kanë diskutuar për të gjitha çështjet gjatë qëndrimit në Granada të Spanjës – ku kanë marrë pjesë në samitin e liderëve të vendeve evropiane.
Këtë deklarim Osmani e ka bërë para mediave, pasi është pyetur për kërcënimin e Macronit që të pezullohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Madje, ajo ka thënë se beson në mirëkuptim për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.
“I kam diskutuar të gjitha këto me presidentin Macron gjatë takimit tonë në Granada dhe besoj që kemi mirëkuptim në tejkalimin e sfidave të përbashkëta”, është shprehur presidentja.
Deklarimi i presidentit Macron një ditë më parë se janë pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën ka ngjallur reagime të shumta, por që më vonë u sqarua se ishte gabim në përkthim.
E pas reagimeve të shumta është sqaruar edhe Zyra e Macronit, e cila ka bërë të ditur se vendimi do të diskutohej me partnerët e tjerë evropianë dhe vinte si pasojë e “bllokadës së Kosovës”.
Rruga Press