Osmani për “ABC Australia”: Rusia ka ende një satelit në Ballkan, Serbinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për transmetuesin australian “ABC”, ka thënë se pamjet e Ukrainës janë të njohura për qytetarët e Kosovës pasi i kanë përjetuar gjatë viteve 1990-ta.
“Vërtetë kthehen kujtimet e dhimbshme. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit gjatë viteve 90-ta, krime të bëra si rezultat i politikave gjenocidale të Millosheviqit. Janë kujtime të tmerrshme të së kaluarës sonë, por edhe një kujtim që drejtësia ende nuk është ofruar për viktimat e këtyre krimeve. Ne kemi kaluar nëpër këtë. Kemi qenë refugjatë, kështu që kemi treguar solidaritet dhe jemi shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që ka vendosur sanksione në një vijë me partnerët tanë si SHBA-në, BE-në por edhe Australinë e partnerë tjerë. Jemi siguruar që të marrim masa kundër Rusisë. Ndonëse jemi shtet i vogël, mendoj se gjatë kësaj periudhe të vështirë për kontinentin tonë, duhet bërë gjithë bashkë, pavarësisht i madh apo i vogël”, tha Osmani.
Ajo ka shtuar se Rusia në Ballkanin Perëndimor e ka një satelit, siç është Serbia.
“Qartë që për rajonin tonë mund të ketë pasoja, veçanërisht të lidhura me sigurinë. Rusia ende ka një satelit në rajonin tonë, që është Serbia. Serbia i ka shërbyer interesave ruse për një kohë. E ka rritur bashkëpunimin ekonomik e ushtarak me Rusinë gjatë këtyre viteve të fundit, në një përmasë aq të madhe sa është shqetësim jo vetëm për shtetet e rajonit, që e duan paqen, por edhe për partnerët tanë nëpër botë”, tha Osmani.
Në pyetjen e gazetares pse NATO nuk po ndërhynë në Ukrainë ngjashëm siç kishte ndërhyrë duke bombarduar ish-Jugosllavinë për ta ndaluar gjenocidin në Kosovë, Osmani, ka thënë se nuk është kundërshtari i njëjtë dhe se po bëhet fjalë për Rusinë, një prej fuqive më të mëdha nukleare, e rreziku është shumë më i madh.
“Nuk po vepron NATO njëjtë, pasi nuk ka përballë një agresor të njëjtë. Ka përballë Rusinë, një prej fuqive më të mëdha nukleare në botë. Do të thotë rreziqet janë më të mëdha sesa në ish-Jugosllavi atë kohë, kur ne të gjithë u deshëm ta luftonim ‘Kasapin e Ballkanit’, Millosheviqin. Besoj se aleatët tanë në botë mund të bëjnë më shumë. Nuk duhet harruar se oksigjeni për këtë luftë është ekonomia ruse”, ka thënë Osmani, duke aloduar se Rusisë duhet t’i vendosen sanksione më të mëdha.
Osmani ka thënë se “kurrë më” nuk duhet të jetë vetëm slogan, por një veprim. Duhet bërë çdo gjë të mundur për të ndaluar vuajtjet e qytetarëve të Ukrainës përballë një lufte të tmerrshme të paprovokuar.
“Besoj se duhet ta mbyllim çdo vrimë atje që ndihmon ekonominë e Rusisë, pavarësisht nëse flasim për sektorin e energjisë apo oligarkët që kanë drejtuar atë shtet me shekuj. Duhet të sigurohemi që njëkohësisht si BE-ja, SHBA-ja, Australia e shtetet tjera, të përdorin gjuhë të qartë ndaj shteteve që po e ndihmojnë Rusinë. Këto nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë, por edhe aleatët e Rusisë që janë nëpër botë. Besoj po ashtu se Ukraina duhet të ndihmohet më tepër me armë shtesë, sidomos me aeroplanë luftarakë, në mënyrë që të mbrojë qytetarët e pafajshëm që janë viktima të krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit.
Osmani ka thënë se qëllimet gjenocidale të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, kanë qenë të qarta nga fillimi, me përdorjen e termave “denazifikim”.
“Bota duhet të reagojë për të ndaluar vuajtjet e popullit ukrainas”, tha Osmani.
Rruga Press