KryesoreLajme

Osmani: Ngurrimi për ta pranuar Kosovën në NATO e BE i jep mundësi destabilizimit të rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se ngurrimi për ta pranuar vendin e saj në aleancën ushtarake NATO dhe në Bashkim Evropian (BE), lë të hapur mundësinë për destabilizimin “jo vetëm të Kosovës, por të rajonit dhe më gjerë”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në Prishtinë, Osmani tha se Kosova llogarit në mbështetjen bullgare për anëtarësim në bllok.

“Udhëheqja e guximshme dhe veprimet vendimtare të aleatëve tanë në familjen euroatlantike për ta përshpejtuar pranimin e bazuar në merita të vendeve demokratike të rajonit në BE dhe NATO, sepse çdo hezitim do të krijonte një boshllëk që aktorët keqdashës ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin e përtej”, tha Osmani.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE vitin e kaluar, por u qortua nga Komisioni Evropian në raportin e saj vjetor në nëntor për “përparim të kufizuar” dhe për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Lexo më shumë  Maqedonci jep detaje për procesin e hapjes së fabrikës për prodhimin e municioneve dhe laboratorin për dizejnimin e dronëve

Presidenti bullgar tha se, derisa vendi i tij e mbështet Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në bllok, kërkon që Kosova dhe Serbia të pajtohen për normalizimin e marrëdhënieve.

“Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për anëtarësimin e saj sa më parë në Këshillin e Evropës. Bullgaria është një prej motorëve për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne nuk mund ta lejojmë veten ta lëmë Kosovën në plan të dytë, aq më tepër në fushën e sigurisë”, tha Radev.

Ai shtoi se arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës “është me rëndësi për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë”.

Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.

Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

YouTube player