KryesoreLajme

Osmani: Kosova mbetet aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Letoni, ka qëndruar në Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM) në Riga, ku ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të qenë një partnere e qëndrueshme në mbrojtjen e vlerave demokratike.

“Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike”, ka shkruar Osmani  në Facebook.

Gjatë vizitës në STRATCOM, Osmani diskutoi me zyrtarë të lartë për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike dhe komunikimit strategjik. Këto përpjekje janë pjesë e synimit afatgjatë të Kosovës për anëtarësim në NATO.

Lexo më shumë  Me dekret presidencial, Osmani i jep shtetësinë ish-ushtarit britanik të UÇK-së

Më pas, presidentja mori pjesë në një diskutim të organizuar në Shtëpinë e Evropës në Riga, ku bashkëbisedoi me gra lidere dhe aktiviste nga Letonia. Ajo ndau përvojën e Kosovës si një vend që ka kaluar nëpër luftë, por që sot ecën përpara me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë.

Vizita e presidentes në Letoni u përmbyll me një ndalesë në Muzeun e Okupimit të Letonisë, një moment reflektimi mbi historinë e rezistencës ndaj pushtimeve dhe padrejtësive.

Lexo më shumë  Gërvalla në Vjenë për takimin e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”

“Ashtu si Letonia, edhe Kosova mbijetoi përmes qëndresës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë për të mos harruar të kaluarën dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt,” përfundoi presidentja Osmani.

YouTube player