Osmani kërkon që BE-ja të jetë më e zëshme karshi tendencave destabilizuese të Serbisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë e rajon.
Osmani më tej ka shtuar se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet.
“Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës. Presidentja Osmani ka ritheksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani. Presidentja Osmani kërkoi që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë e rajon. Më tej, në takim me ambasadorin Weidinger, ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon”, thuhet nga Presidenca.
Osmani i ka thënë ambasadorit austriak në Kosovë se pret mbështetje të vazhdueshme të Austrisë në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Rruga Press