Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së dhe ndalimin e arrestimeve nga Serbia: “Qytetarët po dëmtohen më së shumti”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, të cilat i ka cilësuar si të padrejta dhe me pasoja direkte për qytetarët.
“Masat e padrejta të vendosura nga Bashkimi Evropian po i prekin më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Osmani, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për procesin e konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore, ku Osmani theksoi rëndësinë e funksionimit demokratik të tyre për të avancuar objektivat e përbashkëta të vendit.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe çështja e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia.
“Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për rrugën e saj drejt integrimit evropian:
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian”, u shpreh Osmani.
Gjithashtu, Presidentja nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me fokus të veçantë në Këshillin e Evropës.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani theksoi domosdoshmërinë e një procesi të drejtë dhe të paanshëm që përcakton objektiva të qarta dhe kontribuon në paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Rruga Press

