Osmani: Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida e diskriminim sa i përket përfaqësimit në vendimmarrje.
Osmani ka thënë se kjo mbetet sfidë për të gjithë shoqërinë. Në shënimin e përvjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Osmani është zotuar se do të përkrah çdo iniciativë që synon fuqizimin e rolit të grave në Kosovë.
Ajo ka thënë se vitin e ardhshëm në Kosovë do të organizohet për herë të parë Samiti për gratë, paqen dhe sigurinë ku do të ketë pjesëmarrës nga vende të ndryshme te botës.
“Vajzat dhe gratë janë bosht i rëndësishëm për krijimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të shoqërisë përfshirë rolin e tyre në ruajtjen e paqes e politikat e mbrojtjes. Promovimi i fuqisë vendimmarrëse të grave ne këtë sektor kaq strategjik nënkupton edhe nivelin me të cilin mund ta matim demokracinë e vendit tonë. Besoj fuqishëm se fuqizimi i grave në vendimmarrje nënkupton edhe promovim të mëtejmë të rolit e grave në shoqëri. Edhe pse kemi ende jashtëzakonisht shumë punë. Është evidente që Kosova ka shënuar përparim sa i përket përfshirjes së grave në vendimmarrje” ka thënë Osmani, raporton KP.
Ndonëse përfaqësimi i grave është i garantuar në shumicën e institucioneve të Kosovës, Osmani thotë se ato ballafaqohen me probleme të shumta.
“Edhe pse përfaqësimi thuhet se është i garantuar në shumicën e institucioneve të vendit ato ballafaqohen me probleme të shumta e diskriminim. Asnjë profesion nuk ka gjini, çdo profesion është i përshtatshëm dhe gratë aty do të shkëlqejnë. Pjesëmarrja e vajzave në FSK vazhdon të jetë tejet e vogël 7 pse 8 për qind në Forcë janë vajza, kjo është sfidë në mbarë boten, ne kemi nevoje të shohim ndryshim në këtë. Pjesëmarrja e grave në FSK është garantues për paqe të qëndrueshme dhe për siguri afatgjatë”, ka thënë Osmani.
Koordinatorja për zhvillim nga Kombet e Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson ka thënë se gratë duhet të jenë më të përfaqësuara ne negociata për paqe e siguri.
“Gratë janë shumë pak të përfaqësuara në negociatat për paqe dhe siguri, çdo aspekt funksionon më mire kur të gjithë marrin pjesë. Kur gratë janë të angazhuar plotësisht në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë ne shohim rezultate, më pak konflikte dhe me shume marrëveshje për paqe”, ka thënë ajo.
Shënimi i përvjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 e OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me UN-Women dhe konferenca ka temën “Roli i grave në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë”.
Rruga Press